Analizë e librit të Noel Malcolmit, “Useful enemies – Islam and the Ottoman Empire in Western Political Thought 1450-1750” (Armiqtë e dobishëm – Islami dhe Perandoria Osmane në mendimin politik të Perëndimit 1450-1750)
Pas dy dekadave të hulumtimeve intensive, Noel Malcolm, një ndër mendjet më brilante që ka bota sot, ka nxjerrë në dritë kryeveprën e radhës. Hulumtimet e Malcolmit janë gjithmonë arkivore dhe ato të literaturës së vjetër, të rrallë, të rëndësishme e të harruar. Me këtë libër, Malcolm sërish ka mahnitur botën intelektuale dhe kjo është arsyeja që recensionet e botuara në shtypin elitar perëndimor, janë superlative. Sikur në çdo vepër të tij, edhe në këtë, fuqia akademike, aftësia e shtjellimit të temës dhe gjuha e Malcolmit, janë thjeshtë mbresëlënëse. Edhe më mbresëlënës është fakti që flet për mënyrën unikale – shkëlqyese të organizimit të burimeve shumështresore dhe të prezantimit të fakteve të analizuara me një mprehtësi të rrallë.
Tema, siç shihet edhe nga titulli i librit, nuk ka qenë e panjohur deri sot. Ndarja Lindje-Perëndim, e ndërtuar në Perëndim mbi perceptime që kanë patur për qëllim ta ndërtojnë idenë anti-Lindje, nuk është e re. Kjo temë që trajton pasojat (negative) të këtij ndërtimi është trajtuar edhe më herët nga një varg studiuesish, përfshirë Maria Todorovan. Por. Malcolm, tashti me thellësinë dhe gjerësinë e kësaj vepre, të gjitha këto botime i bën të duken sipërfaqësore.
Malcolm i hyn trajtimit të këtij problemi mu në zanafillë. Gjeneza është momenti kur Perandoria Romake, sidomos më vonë kur Kisha ndahet në dy pjesë: Lindje – Perëndim. Perëndimi e ka vështirë ta pranojë ndarjen. Problemi stërmadhohet kur Lindja, më vonë e njohur me emrin Bizant, krijon superioritet ndaj Perëndimit, sidomos në fushën e artit, filozofisë, por edhe në atë ekonomike dhe ushtarake. Evropa e Mesjetës apo ajo e pas rënies së Perandorisë Romake, u shndërrua në principata të vogla dhe dominione inferiore në krahasim me Bizantin që paraqiste një territor të vetëm dhe të sunduar nga një qendër – Kostandinopoja.
Ndarja, siç bën me dije Malcolm, u shtua dhe mori një nivel tjetër kritik kur Kostandinopoja ra nën sundimin osman. Tashti, për Perëndimin, sundimtarët e rinj ishin njerëz tjerë dhe me tjetër religjion. Kundërshtimet e Perëndimit ndaj Bizantit ishin aq të mëdha dhe joracionale, madje në nivel të urrejtjes. Puna shkoi aq larg sa që kur Kostandinopoja ra nën osmanët, Perëndimi këtë ndodhi e shikoi si akt hyjnor me të cilin Zoti e kishte dënuar Bizantin dhe Kishën e Lindjes për shkak se ajo ishte ‘fajtore’ për ndarje dhe tashti i lante mëkatet. Ky ishte rezonimi i Perëndimit.
Këtu fillon shtjellimi i temës së librit. Dijetarët e Perëndimit filluan të interesohen për sunduesit e rinj, osmanët, dhe religjionin e tyre, Islamin. Njohja dhe shpjegimi ishte i nivelit foshnjor saqë disa mendonin se osmanët janë me origjinë nga Troja e lashtë të cilët po i hakmerreshin Bizantit të cilin e konsideronin si Greqi të kohës. Osmanët u konsideruan si paganë, heretikë apo sekt i çuditshëm që dilte nga krishterimi. Shpjegimet fillestare të Perëndimit sot janë qesharake, por atëherë kanë patur peshë.
Por, një gjë qysh atëherë filloi të qartësohej. Osmanët dihej se kishin ndërtuar sistem shoqëror dhe ushtarak superior dhe ky fakt fascinues nuk mund të fshihej. Por, kjo epërsi krijoi frikë në Perëndimin e ndarë dhe të prapambetur. Prandaj, krijimi i mendimit dhe qëndrimit ndaj osmanëve ishte i bazuar në njohuri të mangëta dhe në frikë. Rënia e Kostandinopojës dhe faktorizimi i osmanëve, ndikoi që Vatikani t’i shpeshtonte thirrjet për popullatën që ajo të rreshtohej nën flamurin e krishterë. Vatikani e konsideronte religjionin e krishterë si faktorin e vetëm unifikues të Perëndimit.
Me kalimin e kohës, njohuria filloi të evoluonte pasi që territoret osmane vizitoheshin nga udhëpërshkrues dhe njerëz tjerë të ndryshëm, siç ishin diplomatët, robërit e luftës etj. Por, informatat e tyre shfrytëzoheshin në mënyrë selektive nga Kisha dhe nga pushtetmbajtësit që kishin për qëllim të krijonin ide të avantazheve të rreme. Mendimi për osmanët dhe religjionin e tyre interpretohej edhe sipas zhvillimit të ngjarjeve. Martin Luteri, në fillim, për shkak të armiqësisë me Papatin, i shihte sulltanin dhe osmanët si të arsyeshëm në krahasim me Vatikanin e korruptuar. Por, kur osmanët filluan të lajmëroheshin afër tokave gjermane, ai e ndërroi qëndrimin. Në këto raste, njohuria dhe qëndrimi ndaj osmanëve varej nga situata që mbretëronte në Perëndim. Lëvizjet protestante apo tjerat që ishin kundër Vatikanit, kishin qëndrim më të butë apo më të arsyeshëm ndaj osmanëve. Varej edhe nga afria apo largësia gjeografike me rrezikun e perceptuar. Ta zëmë, Franca dhe Anglia shpesh ishin aleatë të sulltanit. Kjo ishte për shkak se Franca planifikonte aleancë me sulltanin kundër Habsburgëve, kurse anglezët kundër Spanjës.
Malcolm sjell shembullin e Nikola Makiavelit, mendimtarit të parë që inicioi themelimin e një mendimi shkencor politik në Perëndim, duke e analizuar çështjen osmane. Makiaveli, pasi që ishte për një shtet të ndarë nga Kisha, te shteti osman gjente elemente pozitive. Në këtë drejtim flet rasti i sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, i cili me reformat e tij i kishte nënshtruar institucionet religjioze (islamike) duke e vënë shtetin sipër apo në piedestal. Fuqia që ushtronte Kisha mbi shtetin dhe shoqërinë në vendet që sot njihen me emrin Itali, nuk i pëlqente Makiavelit. Duke e ditur fuqinë ushtarake dhe politike të sulltanit, Makiaveli nuk habitej nëse Italia do të binte në duar të osmanëve. Në lidhje me këtë, siç ka vënë në pah Malcolm, Makiaveli i kishte shkruar një mikut të tij se do të dëshironte që me këtë rast t’i shihte se si do ta merrnin vrapin priftërinjtë për të ikur nga ndjekja e osmanëve.
Makiaveli ka qenë i çliruar nga barra iracionale e religjionit dhe këtë ai e sqaron në librin e tij “Historia e Firences”. Këtu ai i përshkruan kryqëzatat duke i karakterizuar si lojë politike të Papa Urbanit të II-të, i cili me këto veprime që krijuan pasoja të padëshirueshme, kishte për qëllim që ta zgjeronte domenin e pushtetit dhe ndikimit të tij. Gjatë tërë veprave të tija, duke u bazuar në tezën e tij të arsyeshmërisë së ekzistimit të shtetit, Makiaveli e lartëson fuqinë osmane dhe aftësinë e sulltan Mehmetit të II-të për shkak se ai kishte themeluar shtet të fuqishëm dhe stabil. Ai njësoj flet edhe për sulltan Pajazitin. Sipas Makiavelit, osmanët, me anë të shtetit po e bënin atë që dikur e kishin bërë romakët e që Perëndimi nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë .
Pas Makiavelit, Malcolm e analizon edhe punën e Tomazo Kampanellës, i cili i hulumtonte mënyrat që do të çonin te nënshtrimi i osmanëve. Por, nëse arrihej nënshtrimi dhe aplikohej krishterimi i popullsisë myslimane, ai sugjeronte që sistemi i sundimit osman duhet të ruhej dhe zbatohej edhe më tutje. Në realitet, as Kampanella nuk ka mundur t’i ikte sistemit sundues superior osman. Shpjegimi i tij për osmanët dhe religjionin e tyre nuk u pranua lehtë në një mes ku për këto gjëra ishte folur dhe shkruar me një negativitet të theksuar. Kur Domisio Ponzio, i cili ishte mik i Kampanellës dhe që kishte mendim të njëjtë për osmanët, iku në Stamboll dhe u konvertua në mysliman, u bë rrëmujë e madhe në Venedik dhe gjetiu. Ky ishte një rast kur edhe Kampanella u akuzua si i tillë (mysliman i fshehur), por që nuk ishte e vërtetë. Madje, Kampanella u akuzua se me veshjen e tij mundohej ta fuste në përdorim stilin e modës osmane.
I tillë ishte opinioni publik deri në atë kohë dhe nuk duronte vlerësime reale apo ndikime nga jashtë pasi që ato binin në kundërshtim me atë që ishin krijuar kuturu për një kohë të gjatë.
Pastaj, pason një periudhë kur në literaturën e Perëndimit bëhet krahasimi i sundimit sulltanor me parimet që dalin nga “Republika” e Aristotelit. Sistemi politik osman paraqitet si despotizëm ku “sulltani sundonte mbi popullatën e tij sikur të ishin bagëti”. Mendohej kështu përkundër faktit se në Perëndim në atë kohë kishte mjaft shënime që dëshmonin se banori i Perandorisë Osmane jetonte më mirë dhe më sigurt se gjithkund tjetër.
Duke e bartur temën në mënyrë kronologjike nëpër shekuj, Malcolm e sjell lexuesin përballë mendimeve të Thomas Hobbesit. Hobbes, si gjigant në zhvillimin e teorisë filozofike dhe politike mbi shtetin, e zhvlerësoi tërësisht arsyen e hyrjes së shtetit në luftë për shkaqe religjioze. Në atë kohë (shek. XVII) nuk ka qenë i vogël volumi i literaturës së Perëndimit që bënte thirrje për luftë fetare kundër osmanëve. Libri vë në pah edhe faktin se Islami konsiderohej si religjion politik. Në këtë kuadër analizohen idetë e Volterit, Bodenit, Monteskjeut dhe një numri jo të vogël të dijetarëve të njohur e të panjohur. Pa marrë parasysh që Volteri e përshkroi Islamin si religjion më të mirë se krishterimin dhe pa marrë parasysh idetë tjera që sollën një frymë të arsyeshmërisë kritike, gjatë tërë kësaj kohe te masat e gjëra ka mbizotëruar ideja e cila në literaturë e përkrahte Kishën dhe shtetin që ruante pozitën anti-osmane dhe anti-islamike.
Por, hasim edhe një dukuri tjetër. Fjala është për lindjen e islamofilisë dhe turkofilisë. Islamofilët nuk janë konsideruar vetëm ata që kanë shfaqur simpati për këtë religjion, por edhe ata që janë munduar ta trajtojnë këtë temë pa paragjykime. Kjo ndodhi me rastin e përkthimeve të para të Kuranit dhe përshkrimit të jetës së profetit të këtij religjioni, Muhamedit. Turkofilët ishin ata që shfaqnin simpati për nivelin e organizimit të sundimit që kishte arritur shteti osman dhe, siç marrim vesh në këtë libër, numri i tyre nuk ka qenë i vogël në mesin e dijetarëve të Perëndimit. Mundësia e praktikimit të lirë të krishtenizmit dhe judaizmit brenda territorit të Perandorisë Osmane ka qenë arma e islamofilëve dhe turkofilëve kundër oponentëve të shumtë që kishin përballë.
Por, kundërshtimi i pakusht ndaj osmanëve dhe religjionit të tyre ka qenë dominues në kulturën e Perëndimit gjatë shekujve që përthekon ky libër. Kundërshtimi merrte formë agresive dhe armiqësore, sidomos gjatë luftërave të cilat në këtë kohë kanë qenë mjaft të shpeshta. Në këto raste shtohej edhe volumi i literaturës anti-islamike dhe anti-osmane. Malcolm bën me dije se kjo literaturë përgatitej dhe botohej me kërkesë të Vatikanit apo të sunduesve tjerë të Perëndimit. Autorët, të cilët shprehnin dëshirë që me këtë literaturë t’i shpallnin luftërat anti-osmane si të ligjshme e të drejta, pra edhe të arsyeshme, kanë qenë të shumtë. Autorë të kësaj literature zakonisht nuk posedonin ndonjë njohuri për osmanët. Ata që kishin njohuri, treguan ‘aftësi’ të shtrembërimit të fakteve në mënyrë që ta përkrahnin luftën sipas porosisë.
Megjithatë, në shek. XVI u lajmëruan edhe autorë që shkruanin të lirë për këtë temë dhe me sy kritik e që nuk kishin qëllim t’i përkrahnin idetë apo planet luftënxitëse. Disa tjerë, përfshirë Paolo Giovion, shkruan me simpati të madhe për fuqinë osmane dhe religjionin e tyre dhe këtë e bënë me qëllim që Perëndimi ta kishte të qartë realitetin dhe të ishte i gatshëm të përballohej me këtë fuqi. I tërë ky konglomerat i ideve paraqitet nga Malcolm si fakt që duhet ta kemi parasysh se si Perëndimi ka ndërtuar idetë dhe paragjykimet për Lindjen, por edhe pozitën për veten. Në këtë përzierje të ideve reale e joreale apo racionale e joracionale, është ndërtuar filozofia dhe politika e hershme evropiane mbi shtetin e tyre dhe fqinjin lindor. E tërë kjo është bërë për shkak të osmanëve dhe religjionit të tyre, i cili për këtë arsye apo fakt ka qenë armik i dobishëm. Me fjalë tjera, osmanët dhe Islami e formësuan Perëndimin.
Në fund nuk ka asgjë më mirë se sa këtu të përsëriten fjalët të cilat Noel Malcolm i ka vënë në përfundim të këtij libri: “Për shumicën e mendimtarëve perëndimorë, Perandoria Osmane dhe Islami kanë luajtur një rol të rëndësishëm në botën e tyre mentale, në atë që jo vetëm ‘tjerët’ duhet të vihen në pozita subordinuese, e as të kërcënohen që konceptualisht të izolohen dhe neutralizohen, por të paraqiten si përbërës për t’u përpunuar në teoritë e tyre. Mendimi politik perëndimor, në këtë periudhë, ka qenë në Perëndim dhe për Perëndimin, por asnjë herë ekskluzivisht për Perëndimin. Lindja nuk ka qenë vetëm shumë e rëndësishme për t’u injoruar; ka qenë shumë interesante – dhe mbi të gjitha, tejet e dobishme”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A