LAJMI I FUNDIT:

Ekspozitë me skicat dhe pikturat e Lin Delisë

Ekspozitë me skicat dhe pikturat e Lin Delisë
Autografi i piktorit boem

Skicat edhe vizatimet e piktorit të shenjtorëve, Lin Delisë, ekspozohen në Muzeun Dioqezian në Shkodër. Temat që trajton në to piktori, që u arratis nga Shkodra 71 vite më parë, kanë lidhje me Antrodokon e Italisë, qytetin ku jetoi. Në 9 prill do të ekspozohen dhe pikturat e tij në Shkodër.

“Është e vërtetë që për herë të parë vijnë vizatimet dhe skicat e Lin Delisë në Shkodër. Duhet përshëndetur kjo iniciativë, që mban gjallë gjithë kohës krijimtarinë e Lin Delisë, që edhe pse është një piktor me origjinë shqiptare, të gjithë kontributin e tij artistik e ka dhënë në këtë qytezë të vogël. Muzeu e shtrin ekspozimin e veprave të tij në Itali, në Gjermani, në Kroaci, ku Lin Delia ka lëvizur. Janë skica shumë interesante, sepse sjellin figurativisht përpjekjet e Lin Delisë, personazhet e jetës së zakonshme të Antrodokos, një vajzë elegante, burra që qëndrojnë ulur nëpër stolat e këtij vendi etj.”, ka thënë studiuesja, Suzana Varvarica.

Vendasit e kësaj qyteze ruajnë emrin dhe veprën e piktorit, duke e bërë atë të njohur në çdo vend, që artisti ka lëvizur. Ndërsa veprat e tij janë të shpërndara në koleksione publike dhe private, në Vatikan, në Romë, në Galerinë e Arteve Moderne në Palermo, në Bazilikën “Santa Maria del popolo” në Romë, dhe në galeri të tjera dhe muze, si ai i “Sant Anna” në Quebec (Kanada).


Por, çfarë vendi i është dhënë në Shqipëri?

“Është shkruar për Lin Delinë, i është dhënë vendi i duhur, por njohja e publikut është e paktë, e cunguar. Për shembull, Ibrahim Kodra diti që t’i bëjë një promocion të jashtëzakonshëm veprës së tij në të gjallë. Ndërsa, për Lin Delinë është një muze shumë interesant. Kjo është një gjë shumë e jashtëzakonshme, sepse flet për pikturën dhe marrëdhënien e tij me vendin. Ai studiohet jo vetëm në shkollat e artit, por edhe në shkollat që bëhet psikologji”, thotë Vavarica. /Shqiptarja/