LAJMI I FUNDIT:

Ibrahim Rugova dhe Darka e Lamës

Ibrahim Rugova dhe Darka e Lamës

(Kur e dëgjova të fliste për këtë ritual festiv dhe si e mendonte ringjalljen e tij në traditën shqiptare Ibrahim Rugova)

Derisa në ditëlindjen e tij (2 dhjetor 1944), presidentin historik Ibrahim Rugova do të gjejnë forma ta kujtojnë, politikanë e intelektualë, gazetarë e mjete të informimit, familjarë dhe miq të afërt e të largët të tij, madje edhe me stereotipa, unë në këtë ditë dua ta rrëfej rastin kur Ibrahim Rugova foli për “Darkën e Lamës“ duke propozuar që jo vetëm ky rit, por edhe rite të tjera, në dritën e re, të ridimensionoheshin dhe të shënoheshin në përmasa kombëtare.

Ishte diku dhjetëditëshi i parë i muajit dhjetor 1989. Pas orarit të punës, pasdite, në rrugën që tash është nën Katedralen e Prishtinës e aso kohe kishte lokale zejtarësh e më shumë lokale gastronomie e pijetore, u takova me Milazim Krasniqin dhe Ibrahim Rugovën, që së bashku hymë në njërin nga lokalet aty. Sytë e të pranishmëve drejtoheshin nga tavolina jonë, pasi tashmë Rugova, me reagimet e tij publike dhe me intervistat nëpër mediat e huaja sidomos, duke dënuar dhunën serbe në të gjitha sferat e jetës shqiptare në Kosovë, ishte shndërruar në një simbol të qëndresës kombëtare. Pas pak në atë ndejë rasti na u bashkuan edhe miqtë tanë: Nehat S. Hoxha, Basri Çapriqi dhe Abdullah Konushevci.


Bisedat e lira, relaksuese, rrëshqitnin sa nga një temë në tjetrën, por megjithatë riktheheshin kah letërsia. Atë vit institucionet shkencore dhe kulturore shqiptare, me iniciativën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, po e shënonin në mënyra të ndryshme 300-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit. Në emisionet e kulturës në Radio Prishtinë ku unë punoja, e kisha ftuar dy-tri herë gjatë vitit I. Rugovën të fliste për figurën poliedrike të Bogdanit. Dua të shtoj me këtë rast se udhëheqja e dërguar nga Komiteti i Komunistëve të Kosovës në gazetën “Rilindja“, muajve të fundit, e shmangte emrin dhe paraqitjet e Ibrahim Rugovës.

U ndalëm te një emision njëorësh që e kisha dhënë para dy-tri ditësh në Radio, e që ishte incizim nga kumtesat e Rugovës, Mahir Domit, Androklli Kostallarit, Dalan Shaplos dhe Martin Camajt nga Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare të atij viti në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Kumtesat e tyre në mënyrë integrale i kishte dhënë vetëm gazeta “Fjala“ ku kryeredaktor ishte Milazim Krasniqi. Po e përmend këtë rast pasi në Prishtinë, pas vitit 1981, deri atëherë nuk kishte shkelë asnjë studiues nga Shqipëria, ndërsa Martin Camaj, pas shumë vitesh mërgimi, po kthehej për herë të parë. Natyrisht që kënaqësia ime personale ishte në kulm që në emisionin tim po e shpalosja dijen e këtyre shkencëtarëve, por më shumë kishte rol në ato rrethana paraqitja e tyre publike, madje në një medium me ndikim për kohën.

Kur ishim te kjo temë, biseda u soll se si ishte ndaluar të mos shkonte në Tiranë, Ibrahim Rugova, në një konferencë shkencore që atje po mbahej për Bogdanin në këtë përvjetor, lajm që ishte përhapur më shumë përmes Radio Tiranës. “Nuk desha ta bëj më të madhe këtë pengesë që m’u bë, pos letrës që i shkrova Konferencës për arsyet e mosshkuarjes atje, se ndoshta do të detyroheshin këta të pushtetit të më jepnin vizë!“, na tha mes tjerash Rugova.

Më pas, kur muzgu i fillimdimrit veç kishte mbuluar Prishtinën, ashtu si ishim, shkuam në Institutin Albanologjik ku, me sa më kujtohet, mbahej një simpozium për etnologjinë. Hymë në seancë dhe referuesit njëri pas tjetrit paraqisnin kumtesat. Pas mbarimit të kumtesave, si ishte zakon në këso rastesh, zhvilloheshin diskutimet për temat në fjalë. Në diskutim u inkuadrua edhe Ibrahim Rugova i cili për shumë rite tradicionale që u fol aty, propozoi që të mos mbyllen si tema vetëm në institucione shkencore dhe në skedat dhe punimet e shkencëtarëve, por ato të funksionalizohen edhe në jetën praktike, madje gjithnjë duke ua dhënë atributin shqiptar, pasi dilnin nga traditat e vetë popullit që i kishte bartur brez pas brezi. Ndër këto rite tradicionale u ndal edhe te Darka e Lamës, duke thënë se edhe këtë rit festiv duhet ta riaktualizojmë, duke caktuar një datë dhe ta mbajmë ashtu si është mbajtur në mënyrë tradicionale në çdo familje shqiptare në fund të lamës.

Pas këtyre fjalëve, mua m’u kujtua ky rit që e kisha ndeshur qysh në fëmijëri edhe në familjen time, por që më vonë, me dinamikën e kohës, e kishim braktisur. Kështu ndodhte edhe me familjet e tjera të cilat me zhvillimin e shoqërisë po shkëputeshin nga mënyra rurale e jetës. Duke u rikthyer me kujtime në darkën e lamës, nuk di a e kam dëgjuar më shumë në ato çaste Rugovën, por pas përfundimit të atij sesioni, vazhduam të pimë kafe në kabinetin e tij me Milazimin dhe me Nehatin. Nuk u durova ta pyesja se si po mendon të shënohet “Darka e Lamës“, kur lama bëhet nga familja në familje, varësisht kur arrijnë ta fusin drithin në hambar, që tashmë pothuajse gati nuk ekzistojnë. Ai me urtinë dhe qetësinë e ti karakteristike, ma ktheu: “Po duhet ta caktojmë një datë optimale dhe të shënohet ky ritual që është praktikuar nga antika e këndej në praktikën jetësore të popullit tonë”!

Mirëpo, me zhvillimin e ngjarjeve, erdhi koha dhe ketë ide, pas konsolidimit të institucioneve me mund të madh, vetë Ibrahim Rugova e shndërroi në praktikë jetësore, duke organizuar Darkën e Lamës dhe duke e rikonfirmuar këtë traditë që aty-këtu edhe tash po funksionon.

Kjo traditë pak a shumë praktikohet në mënyra të ndryshme edhe sot në vendet e Evropës perëndimore, si në Gjermani ku zakonisht në të dielën e parë të tetorit, në forma të ndryshme ekspozohen bereqetet e motmotit, duke defiluar rrugëve me qerret tërheqëse me kuaj, traktorë etj. Pastaj këndohet e vallëzohet, duke falënderuar Zotin për mot të mirë që ka mundësuar të korrat të jenë të frytshme dhe tryezat e njerëzve të kenë ushqim të bollshëm.