LAJMI I FUNDIT:

Me peticion kundër ndërtimeve të larta

Me peticion kundër ndërtimeve të larta

Banorët e zonës në mes të rrugëve “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, “Hakif Zejnullahu” dhe “Haxhi Zeka” kanë kërkuar nga kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, që të mos lejojë ndërtime të larta në zonën e tyre, pasi që siç kanë thënë ata, “bien ndesh me interesin e përgjithshëm të tyre”

Vushtrri. Banorë të zonës, që jetojnë në rrugët “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, “Hakif Zejnullahu” dhe “Haxhi Zeka”, kanë shprehur shqetësimin e tyre për ndërtesat e larta që do të ndërtohen në atë pjesë. Ata i kanë dorëzuar një peticion kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, nga i cili kanë kërkuar që të mos lejojë ndërtime të larta në zonën e tyre.

Besim Jashari, banor i asaj zone, i cili bashkë edhe me dy qytetarë të tjerë, Faik Bllata dhe Qazim Azemi, kishin biseduar për problemin në emër edhe të banorëve të tjerë me drejtorin e Urbanizmit, Sami Istrefi, ka thënë se me ndërtimet e larta në atë pjesë cenohet interesi i përgjithshëm i banorëve, cenohet Plani Rregullativ i qytetit si dhe dëmtohet mjedisi, shkruan gazeta ‘Zeri’.


“Jemi takuar me drejtorin Istrefi dhe ia kemi shprehur shqetësimin serioz të banorëve të asaj pjese, për shkak se është duke u përfolur se aty do të ndërtohen objekte të larta banimi. Nga drejtori Istrefi jemi njoftuar se ai ka nxjerrë një aktvendim, me të cilin ka refuzuar kërkesën për leje ndërtimi të investitorit ‘Zariqi’ për ndërtimin e një objekti 5-katësh në hapësirën në mes të rrugëve ‘Avni Rrustemi’ dhe ‘Vëllezërit Frashëri’, ne e pamë aktvendimin. Drejtori Istrefi na ka thënë se nuk do të lejohet asnjë ndërtim, i cili prish rendin e ndërtimeve dhe që bie ndesh me interesin e përgjithshëm të banorëve të zonës. Po ashtu, drejtori Istrefi na bëri të ditur se kur të fillojë përgatitja e hartave për zona të ndërtimit, do të ketë një diskutim publik me qytetarët lidhur me ndërtimet”, ka sqaruar Jashari./Zëri/