LAJMI I FUNDIT:

“Plani strategjik” për ta vjedhur “Mona Lizën”

“Plani strategjik” për ta vjedhur “Mona Lizën”

Në vitin 1911, ndodhi një vjedhje që u bë lajm, e lajmi krijoi mite. Vincenzo Peruggia, një zanatli italian i cili në Muzeun e Luvrit punonte xhama mbrojtës për veprat e njohura artistike, e vodhi pikturën e njohur si “Mona Liza”. Profesori i historisë dhe autori i veprës “The Thefts of Mona Lisa”, Noah Charney, ka thënë se “po të vidhej një vepër tjetër e Leonardos (da Vinci), atëherë ajo mbase do të ishte piktura më e njohur në botë e jo ‘Mona Liza’”.

Lajmi u bë i madh në media; 60 detektivë nisën kërkimin. Ajo u gjet dy vite më vonë. Peruggia tha se ai e vodhi pikturën për çështje patriotike, sepse donte që ta kthente pikturën në vendlindje, me arsyetimin e tij se atë Italisë ia kishte vjedhur Napoleoni (në fakt, Leonardo ia kishte dhuruar Francisit të I-rë të Francës, piktor i oborrit të të cilit ai ishte deri në ditët e fundit të jetës së tij).

Edhe ky lajm u përhap dhe Peruggia u bë hero i Italisë…


Krahas këtij versioni “patriotik”, është po ashtu një version tjetër i besueshëm për këtë vjedhje. Dyshohet se prapa planit të vjedhjes qëndronte mashtruesi argjentinas, Eduardo de Valfierno. Ai e kishte paguar Peruggian që ta vidhte pikturën. Por, ndonëse kishte paguar për këtë vjedhje – sipas marrëveshjes – i thotë Perrugias që ta mbante të fshehur. Paraprakisht, argjentinasi e kishte angazhuar falsifikatorin francez, Yves Chaudron, që të bënte kopje të “Mona Lizës”. Pasi lajmi i vjedhjes përshkoi botën, Eduardo i shiste pikturat false për origjinal. Fitimi i tij tashti ishte më i madh.

Cilado qoftë e vërteta për këtë vjedhje, lajmi krijoi mite: e bëri Peruggian hero të Italisë; e bëri “Mona Lizën” pikturën më të famshme në botë që sot ka afro 10 milionë vizitorë në vit. E, në versionin tjetër, lajmi bëri që mashtruesi Eduardo të realizonte planin e tij fitimprurës.

Për festën e Vitit të Ri, grupi “Stupcat” realizoi disa skeçe, që kishin të bëjnë me realitetin në të cilin jetojmë. Nëse skeçi “Arsimtari” apo “Punëtorët” zbërthejnë më së miri realitetin e padrejtësive të sotme sociale, skeçi “Plani strategjik” u bë më i famshmi. Sepse, me të u ndërlidhën lajmet në media – përkitazi me reagimet e individëve dhe të organizatave të dala nga lufta e fundit në Kosovë. Kështu, ky skeç ka (deri në këto momente) 200 mijë klikime më shumë se skeçet tjera.

Këtu duhet të shikohet një aspekt i problemit. Gjithçka në histori që është censuruar apo që është synuar të censurohet, ka nxitur debate dhe po ashtu ka shtuar edhe më shumë kureshtjen e njerëzve për të ditur më shumë për thelbin që qëndron prapa kësaj censure. Rast i tillë janë filmat “Life of Brian” dhe “The Last Temptation of Christ”, filma këta që Kisha katolike dhe shumë organizata të krishtera kanë bërë të pamundurën që të censurohen. Filmi “Life of Brian” censurohet në Norvegji, por kjo censurë përdoret si formë marketingu në Suedi, me posterët ku shkruhej: “Është aq qesharak sa që e kanë ndaluar në Norvegji”!

Nuk ka asgjë të keqe tek reagimet. Secili ka të drejtë të shohë anët e errëta në këtë skeç të “Stupcave”. Por, me një shikim ndryshe aty dalin edhe anët pozitive, p.sh. idealisti që kishte vetëm një ëndërr: çlirimin e Kosovës.

“Plani strategjik” është një satirë, një kritikë ndaj realitetit social. Secili ka të drejtë ta pëlqejë e të mos e pëlqejë. Por, problemi është se kjo shoqëri po merret gjithnjë me pasojat e jo me shkakun. E, pasoja të atij “Plani strategjik” janë edhe “Arsimtari” dhe “Punëtorët” me të cilët askush nuk po merret!

Në këtë aspekt, është mirë bëhet edhe një ndërlidhje me vjedhjen e “Mona Lizës”. Një nga të dyshuarit për këtë vjedhje, në një moment hetimi, ishte edhe artisti i madh kubist, Pablo Picasso, autori i një prej veprave më të njohura të shekullit XX – “Guernica”.

Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, Spanja ishte në luftë civile. Në të njëjtën kohë, Gjermania naziste bëhej gati për luftë. Hermann Goering atëbotë ishte shef i forcave ajrore gjermane. Moment ideal për ta testuar aviacionin ishte viti 1937, kur gjoja në mbrojtje të gjeneralit Franco, gjermanët bombardojnë qytetin Guernica – kryeqytetin shpirtëror të baskëve. Bombardimi ishte i tmerrshëm, me shumë shkatërrime e me shumë viktima, për çka Picasso inspirohet për pikturën e tij anti-luftë, “Guernica”.

Pas pushtimit nazist të Francës, Picasso nuk u largua nga Parisi. Gjatë asaj kohe ai nuk bënte ekspozita, ndërsa shqetësohej shpesh nga oficerët e Gestapos. Gjatë një kontrolli që këta të fundit ia bënë atij në banesë, një oficer gjerman e sheh fotografinë e pikturës “Guernica”. “E ke bërë ti?”, e pyet ai Picasson. “Jo, ti e ke bërë!”, i përgjigjet Picasso.

Kush e ka shkruar tash skeçin e “Stupcave” – “Planin strategjik”?

Është mirë të dihet kjo, “autori” i skeçit, e jo vetëm pasojat – ajo që u pa natën festive më 31 dhjetor 2015. Me luftën e UÇK-së identifikohet tërë populli, sepse ishte luftë për çlirim, kundër Serbisë. Askush vlerën nuk mund t’ia humb asaj. Por, nëse një pjesë e popullit, sado e vogël, e ka pëlqyer këtë skeç, atëherë ky duhet të jetë shqetësim për të gjithë ata që u deklaruan kundër. Sepse, dikush atë satirë – ku personazhe janë edhe dy profiterë lufte – nga përvoja apo nga të dëgjuarat po e percepton si realitet. Fakti që lajmet me “Planin” u bënë temë kryesore e debatit pro et contra në këto ditë të vitit 2016, po ashtu e dëshmon këtë.

Prandaj, pa marrë parasysh se kush ka të drejtë në këtë debat, më me rëndësi është që të gjendet “autori” – “muza” e inspirimit për këtë skeç. Duke e njohur dhe duke u deklaruar haptas për këtë “autorësi”, duke zbërthyer dhe zgjidhur shkakun e problemeve, atëherë do të eliminohej edhe debati për këtë temë.

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Kalo në kategori