Reperi nga Kumanova, Bardhyl Idrizi apo siç njihet tanimë për audiencën e gjerë, Bardhi, për afro dy vite radhazi ka marrë vëmendje goxha të madhe në estradën shqiptare.
I cilësuar si një nga talentët e rinj e me potencial të madh, artisti i lartpërmendur veçse e ka dëshmuar këtë me këngë, bashkëpunime e koncerte të shumta.
Nisur karrierën në një kohë pandemie me vështirësi e sfida, Bardhi në vitin e kaluar arriti të mbizotëroj në treg me hitet që solli e po ashtu edhe me albumin e parë me plot 20 këngë.
Bardhyl Idrizi-Bardhi
I quajtur “Trëndafil” në mesin, e të cilëve përfshiu artistë ndërkombëtar e vendor, reperi shqiptar e përmbylli vitin me suksese të mëdha.
Për të na treguar më shumë për vitin që e lamë pas, albumin e koncertet që mbajti, Bardhi shpalos të gjitha në një intervistë ekskluzive dhënë për Telegrafin.
“Viti 2021 për mua ka qenë, nëse edhe mund ta quaj si viti më i mirë i jetës time. Këtë vit kam qenë gjatë gjithë kohës në studio, kemi nxjerr afro 32 këngë gjatë tërë vitit, një vit me plot punë dinamike dhe në fund po ashtu edhe pjesa më e mirë ishte suksesi i gjithë kësaj dashurie nga publiku”.
Bardhyl Idrizi-Bardhi
“Për mua nuk ka qenë synimi kryesor fama dhe për atë nuk është që kam ndryshuar, qëllimi kryesor për mua dhe për ne si SBS Entertainment është që të ofrojmë produkte të mira për njerëzit që na përcjellin, apo thënë ndryshe t’i motivojmë përmes muzikës tonë”.
“Rutina më ka ndryshuar në përgjithësi, por kjo ishte gjithmonë jeta që kam dashur ta kem”.
“Albumi “Trëndafil” me plot 20 këngë, për mua është nder dhe krenari që ta kem një album në moshë kaq të re, falënderimi më i madh i takon ekipit SBS për punën e palodhshme dhe po ashtu profesionale. Jemi të kënaqur me rezultatet por edhe më shumë kënaqemi me mesazhet e njerëzve që po na dërgojnë çdo ditë, ato janë synimi ynë kryesor, publiku të jetë i kënaqur me punën tonë”.
“Normalisht albumi kërkon shumë punë dinamike, por vështirësi nuk është se kemi pasur”.
“Ne kemi për qëllim të sjellim sa më shumë muzikë për dëgjuesit tanë, kjo nuk ka të bëjë me artistët e tjerë apo tregun, por vetëm me synimin që nga fillimi i karrierës”.
“Pasiqë albumi kishte 18 mysafirë, duke marrë parasysh edhe artistë ndërkombëtar dhe vendor nuk është se mund të veçoj ndonjë më shumë apo më pak, por nga secili artist që ka qenë mysafir jam falënderues, secila këngë përcjell mesazhin e vet për atë nuk mund t’i ndaj”.
“Performancat të gjitha janë të bukura se në çdo qytet sheh njerëz të ndryshëm, dhe është ndjenjë e veçantë kur vijnë aty për aty dhe t’i këndojnë këngët bashkë me ty por që ia vlen të ceket si më e veçantë ishte mbrëmja në vendlindjen time, Kumanovë, ku kishte më shumë se 5.000 njerëz prezent”.
Bardhyl Idrizi-Bardhi
“Viti 2022 do të ketë shumë surpriza duke filluar nga janari bashkëpunimi me Azet dhe pastaj kënga tjetër do të vijë në bashkëpunim me Elvana Gjatën dhe DJ Gimi-O”.
“Mesazhi im për këtë fundvit është ta ruani shëndetin dhe të afërmit e juaj nga kjo pandemi dhe shpresoj që sa më shpejt të kthehemi në normalitet”.
Bardhyl Idrizi-Bardhi
/Telegrafi/