Bebe Rexha fotografohet nga paparacët gjatë pushimeve në Ibiza, shijon rrezet e diellit mes suksesit të albumit të ri "Dirty Blonde"


Ylli i muzikës pop, Bebe Rexha, është fotografuar duke shijuar disa ditë relaksi në një jaht luksoz pranë brigjeve të Ibizës, ku tërhoqi vëmendjen me një bikini me motive leopardi.
Këngëtarja 36-vjeçare u freskua nga temperaturat e larta duke u hedhur në ujërat e Detit Mesdhe, ndërsa u pa edhe duke bërë paddleboarding, teksa shijonte pushimet në shoqërinë e miqve të saj.
Artistja dukej mjaft e qetë dhe e relaksuar, duke shfrytëzuar disa ditë larg angazhimeve intensive në studio dhe në skenë, shkruan The Sun.

Pushimet e Bebe Rexhës në "Ishullin e Bardhë" vijnë menjëherë pas paraqitjes së saj speciale në spektaklin Love Island.
Artistja performoi një koncert intim për banorët e vilës në Majorka, por para se të ngjitej në skenë, ajo nuk hezitoi të "qortonte" me humor një nga konkurrentët më të komentuar të spektaklit, Simba.

E veshur me një fustan me motive kafshësh që i vinte në pah format trupore, Bebe hyri në vilë me shumë vetëbesim dhe energji.
Në një moment mes këngëve, ajo ndaloi performancën për ta quajtur me shaka Simban një "djalë të keq", duke i dhënë një këshillë miqësore për sjelljen e tij.

Simba kishte krijuar fillimisht një afërsi me Angelistan, por më vonë shprehu interes edhe për Mican. Gjatë një sfide në një vilë të dytë, ai përfitoi nga rasti për ta puthur Mican dhe për t'iu afruar edhe më shumë.
Pas rikthimit në vilën kryesore, Simba i kërkoi Micës të kalonin një natë në dhomën private të spektaklit, por ajo refuzoi ftesën, duke e vendosur atë në një situatë të vështirë.

Bebe Rexha ka shijuar një sukses të madh vitet e fundit, si me projektet e saj solo, ashtu edhe me bashkëpunimet me artistë të njohur ndërkombëtarë.
Karrierën e nisi si tekstshkruese për emra të mëdhenj të muzikës, duke shkruar hitin "The Monster" për Eminem dhe Rihanna.

Më pas, bashkëpunimet me DJ të njohur si David Guetta dhe Martin Garrix i mundësuan të spikaste edhe si interpretuese.
Albumi i saj debutues, "Expectations", i publikuar në vitin 2018, u nominua për çmimin Grammy në kategorinë "Artistja e Re më e Mirë".

Hiti më i madh i karrierës së saj mbetet "I'm Good (Blue)", bashkëpunimi me David Guettan i publikuar në vitin 2022, i cili arriti vendin e parë në shumë klasifikime ndërkombëtare dhe u bazua në hitin e njohur të viteve '90, "Blue (Da Ba Dee)".
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, Bebe Rexha publikoi albumin e saj të katërt në studio, "Dirty Blonde", i cili shënon edhe projektin e saj të parë si artiste e pavarur pas shkëputjes nga ish-shtëpia diskografike. /Telegrafi/




















































