LAJMI I FUNDIT:

Në ambientet festive të shtëpisë së politikanëve për Vitin e Ri, si e festuan ata ardhjen e vitit 2021?

Në ambientet festive të shtëpisë së politikanëve për Vitin e Ri, si e festuan ata ardhjen e vitit 2021?

Të gjithë së bashku lamë prapa një vit të vështirë, i karakterizuar me shumë peripeci dhe përballjen me një të panjohur, siç ishte ajo e pandemisë globale COVID-19.

Megjithatë fundi i vitit dhe atmosfera e festave nuk janë koha e duhur për të qëndruar të mërzitur dhe për të parë se çfarë kemi lënë prapa.


Viti i Ri 2021 u kremtua në mënyra të ndryshme në çdo shtëpi, teksa me interes të madh te njerëzit shpesh qëndron edhe dëshira për të ditur se si kremtohet nata e ndërrimit të motmoteve nga figurat publike.

Telegrafi tradicionalisht është gjendur shpesh herë në ambientet e shtëpisë së shumë prej të famshmëve, për të parë se si është atmosfera festive në familjet e tyre.

Këtë herë, kemi vizituar disa nga politikanët shqiptarë, më gjegjësisht deputetë, ministrat e edhe vet ushtruesen e detyrës së presidentes, me shpresën për të parë dhe kuptuar pak nga mënyra se si ata e festojnë Vitin e Ri.

Në vazhdim ju prezantojmë me atmosferën festive në shtëpinë e disa prej politikanëve të njohur:

Arban Abrashi festoi për herë të parë vet i pesti

Arban Abrashi me familjen e tij në festën e Vitit të Ri 2021 (Foto: Telegrafi)

Ministri i infrastrukturës, Arban Abrashi, tregoi për Telegrafin se viti 2020 për të ishte mjaft i vështirë, por që festa e Vitit të Ri 2021 ishte më e veçantë, kjo edhe për faktit se ata festuan për herë të parë si një familje pesë anëtarëshe, me vogëlushen e tyre, e cila u bë anëtarja më e re e familjes në nëntor të vitit 2020.

“Sikurse edhe e gjithë bota, pandemia ka bërë që edhe ne të sprovohemi gjatë vitit 2020, e që shumë lehtë mund të kategorizohet me disa nga përvojat më të rënda, duke përfshirë ankthin, frikën për familjen time dhe njerëzit tanë, për botën. 2020 gjithashtu ka qenë një vit me shumë zhvillime edhe i përket punës dhe politikës, por edhe këto janë ndikuar nga pandemia, që ka vështirësuar shumë procese, por kisha veçuar marrëveshjen e Washingtonit si një të arritur të madhe të vitit. Përveç kësaj, në rrafshin personal, unë jam bërë baba i tre fëmijëve dhe për herë të parë baba i një vajze të vogël”, ka thënë Abrashi për Telegrafin.

Si për çdo kë tjetër, edhe për Ministrin e Infrastrukturës këtë vit pati telashe, që janë shkaktuar nga pandemia COVID-19. Në vazhdimësinë e bisedës ai tregoi për disa nga problemet me të cilat është ballafaquar këtë vit.

“Unë jam një person që më pëlqen të jem në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarë dhe me dëshire i dëgjoj dhe përkrahi ata, qoftë në funksion të detyrës së ministrit qoftë në funksion partiak. Pandemia gjithsesi ka ndikuar negativisht në këtë qasje dhe mirëpres të kthehemi në normalitet. Ka qenë pothuajse e pamundur të punojmë si kam dashur, sepse pjesëmarrja në grupe të ndryshme pune është anuluar, gjë që ka pasur një efekt në projektet në vazhdim. Megjithatë, jo vetëm që kanë qenë gjëra negative, ne gjithashtu jemi përpjekur të punojmë në distancë si formë e re e punës dhe komunikimit”, tha Arban Abrashi.

Arban Abrashi me familjen e tij në festën e Vitit të Ri 2021 (Foto: Telegrafi)

Duke qenë në periudhë festash, ai gjithashtu nuk hezitoi të na njoftojë me atmosferën festive në shtëpinë e tij, duke treguar edhe se kujt ia ka lënë “kompetencat” në shtëpi, që ta realizojë ambientin dekorativ për fundvit.

“Këtu me përgjegjësi të plote e them, që aty janë gruaja dhe fëmijët e mi. Ajo është mjaft kreative dhe gjatë gjithë muajit dhjetor ajo bashkë me fëmijët angazhohen rreth dekorimeve dhe organizimeve tjera, për të krijuar një ambient festiv. Unë gjithashtu tentoj te ndihmoj dhe jap kontribut, por nuk është se jam aq i mirë në këtë drejtim. Ne festojmë me familjen, duke pasur parasysh situatën aktuale dhe shtimin e anëtarit tonë të vogël të familjes, ishte një mbrëmje e qetë në Shtepi”, tha Ministri i Infrastrukturës për Telegrafin.

Arban Abrashi me familjen e tij në festën e Vitit të Ri 2021 (Foto: Telegrafi)

Mesazhi dhe urimi i Arban Abrashit për Vitin e Ri 2021: “Ka qenë një vit i vështirë edhe mesazhin për vitin 2021, dua t’a ndërlidhi me pandeminë dhe njerëzit e afërt. Mesazhi im konsiston që të gjithë duhet të kemi edhe pak durim, të kujdesemi për njëri-tjetrin, e posaçërisht të moshuarit sepse pandemisë po i vjen fundi e ditë më të mira për të gjithë ne. E me largimin e pandemisë, të fokusohemi në zhvillimin e vendit, ta dojmë Kosovën e njerëzit tonë”.

Në Prekaz për Vitin e Ri 2021, Blerta Deliu festoi ndërrimin e motmoteve në vendlindjen e saj

Blerta Deliu – Kodra në festën e Vitit të Ri 2021 (Foto: Telegrafi)

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, jashtë kornizave të jetës politike, është një person shumë i afërt me familjarët e saj.

Në pika të shkurtra, ajo për Telegrafin theksoi se humbjet e shkaktuara nga pandemia globale COVID-19, ishin arsyeja që për të viti 2020 nuk u definua si një nga vitet më të mira.

“Viti 2020 ka qenë një prej viteve më të vështira që i mbaj mend në Kosovë në periudhën e pas-luftës, edhe për shkak të rrethanave të pazakonta, që jemi përball me një vit të rëndë në të gjitha aspektet, si në aspektin e betejës që e kemi pas me pandeminë, humbjes së jetëve të njerëzve jashtëzakonisht shumë, humbjes së miqve e pastaj edhe me aspektet e mirëqenies sociale dhe sfidat që e kanë goditur ekonominë e vendit dhe në përgjithësi jetën e qytetareve të Kosovës. Padyshim që këto pengesa kanë ndikuar në secilin segment të jetës edhe 2020-ta do të mbahet mend si një vit më i rëndë prej viteve të fundit në të gjitha aspektet. Po dua të uroj që me qenë viti i fundit sa i përket kësaj situate me të cilën jemi përballur”, ka thënë Deliu-Kodra për Telegrafin.

Blerta Deliu – Kodra (Foto: Telegraf)

Ndërrimin e motmoteve, deputetja e PDK-së e festoi në vendlindjen e saj, në Skenderajt, konkretisht në fshatin Prekaz nga ku edhe ka prejardhjen familja e saj.

“Atmosfera e festave në familjen time, normalisht në familjen time jemi familje e madhe dhe zakonisht për festa mblidhemi të gjithë anëtarët e familjes. Motra e cila është studente në Amerikë është kthyer edhe jemi mbledhur familja dhe presim që të jetë një feste e ngrohtë, e mirë, ku familjarët bashkohen për me iu gëzu këtij viti të rëndë, dhe me iu gëzu asaj që e kemi tejkaluar një vit të vështirë, mandej një pjesë e madhe e familjes e kanë pasur virusin COVID-19, babi, unë me bashkëshortin. Në radhë të parë po dua ta shfrytëzoj këtë rast që me uru që ky fundvit të jetë mesazhi më i mirë për me i uru njëri-tjetrit shëndet dhe me iu gëzu faktit që e kemi kaluar këtë betejë një pjesë e madhe e familjes, por edhe e qytetarëve tjerë. Vitin e ri e festojmë zakonisht kryesisht me familjen, natën e ndërrimit të motomoteve është nata ku gjithmonë ose unë jam mysafirë te familajrët ose familjarët te unë. Këtë vit e presim në Prekaz, ne fshat, ku jemi mledhur me familjarët e mi, me motrat, me vëllain, me prindërit, sepse familja e burrit janë të gjithë në Gjermani dhe situate e pandemisë e ka bërë të vështirë që ata të jetojnë këtu.”, thotë Blerta për Telegrafin.

E kur pyetet për atmosferën e festave që mbizotëron në shtëpinë e saj gjatë fundvitit, Deliu-Kodra thotë se janë fëmijët elemetni kyç i festës në familje.

“Për zbukurimet dhe dekore fëmijët kujdesen më shumë, Joni dhe Tana, edhe pse janë rritur, ata kujdesen për bredhin, normalisht iu ndihmojmë edhe ne që me kontribu pak si prind që me shënu këtë atmosferë të festave dhe me i kontribu një natyre, ku ne secili ndjehemi pak natyrë festive”, tregon Blerta.

Mesazhi dhe urimi i Blerta Deliut për lexuesit e Telegrafit: “Mesazhi im për lexuesit tuaj dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës kudo që janë – uroj në radhë të parë që 2021-a të mos i përngjajë vitit 2020, të jetë vit shumë më i lehtë në të gjitha aspektet që qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë të kenë shëndet dhe t’i kenë sofrat plot”.

Festë në shtëpinë e deputetit të VV-së, Arbër Rexhajt

Arbër Rexhaj me familjen e tij në festën e Vitit të Ri 2021 (Foto: Telegrafi)

Edhe deputeti me prejardhje nga Prizreni, Arbër Rexhaj i ka të veçanta festat e fundvitit.

Për Telegrafin, ai tregoi sfidat e vitit 2020, e që si për çdo person tjetër, kryesorja ishte përballja me pandeminë globale COVID-19.

“Viti 2020 ka filluar mirë por nuk përfundoi si i tillë. Pandemia Covid19 mendoj na ka ndryshuar jetën dhe na dha një mesazh të qartë duke na treguar se bota dhe jeta jonë nuk ishte aq e sigurt sa e perceptonim dhe mendonim ne. Në anën tjetër rrëzimi i qeverisë legjitime siç ishte ajo e Lëvizjes Vetëvendosje me kryeministër Albin Kurtin, të zgjedhur nga qytetarët dhe ndërrimi i saj me një qeveri që deformoi vullnetin e qytetarëve si dhe keq-qeverisja ishte një faktor tjetër që ndikoi në jetën tonë. Në përgjithësi infektimi me covid19 i të gjithë familjarëve të mi, përjashto familjen e ngushtë, sepse jemi ruajtur shumë, pastaj, meqenëse jam kryesisht shumë aktiv në jetën publike, pamundësimi që mos të kem shumë takime siç jam mësuar rëndom. Për mua ka qenë e rëndë të shoh se si qytetarët dhe të afërmit e mi kanë pësuar me jetëra nga ky virus shkatërrues. Shto kësaj edhe problemet ekonomike të cilat na ka shkaktuar në përgjithësi”, ka thënë Rexhaj për Telegrafin.

Arbër Rexhaj me familjen e tij në festën e Vitit të Ri 2021 (Foto: Telegrafi)

Tutje, deputeti i Kuvendit të Kosovës ka treguar për mënyrën se si festohet një natë e zakonshme e Vitit të Ri në shtëpinë e tij.

“Për ndërrim të motmoteve, ne për çdo herë qëndrojmë në shtëpi. Familja ime përbëhet nga nëna ime, gruaja dhe dy fëmijët e mi, Agimi 12 vjeçar dhe Enea 7 vjeçare. Sigurisht, që për stolisjen e ambientit përkujdesen Agimi dhe Enea, prandaj edhe nuk duan që t’u përzihemi ne. Ua kemi besuar të dyve, dhe në fund edhe shija e tyre estetike përherë na ka kënaqur ne. Në gjirin e ngrohtë familjar pranë dy fëmijëve tanë, secili prind ndihet i përmbushur. Meqenëse për shkak të aktivitetit politik më shumë jam jashtë se brenda, sigurisht që ndihem mirë në këtë ndërrim të motmoteve”, thekson tutje deputeti i VV-së.

Arbër Rexhaj me familjen e tij në festën e Vitit të Ri 2021 (Foto: Telegrafi)

Mesazhi dhe urimi i Arbër Rexhajt për Vitin e Ri 2021: “Ky vit, le të jetë vit i ndryshimit të madh politik në vend, duke sjellë një qeveri si Kurti II, e cila besoj fuqishëm që do ta vendos në binarët e duhur Kosovën. Dhe po ashtu shpresoj të jetë viti përfundimtar i COVID-19 dhe i rimëkëmbjes së vërtetë ekonomike”.

Pritje e veçantë e Vitit të Ri edhe në shtëpinë e u.d. së presidentes, Vjosa Osmani

Vjosa Osmani me familjen e saj për Vitin e Ri 2021 (Foto: Telegrafi)

Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, la papa një vit me shumë angazhime.

Mirëpo në një intervistë për Telegrafin, Osmani zbuloi pak nga atmosfera festive në shtëpinë e saj, duke treguar se si u festua në familjen e saj ardhja e 2021-s.

“Çdo vit tjetër, në natën e Vitit të Ri, së pari vizitojmë apo mirëpresim familjarët tanë dhe takohemi me miq, si dhe përgjatë darkës i kënaqemi muzikës së mirë që ofrohet atë natë. Flasim shumë për vitin që po lëmë pas, por shpesh rikthejmë edhe kujtime të dashura nga fëmijëria qoftë përmes bisedave apo fotografive e videove. Natyrisht që vëmendjen qendrore e kanë fëmijët tanë me këngët e recitimet e tyre të shumta. Gëzimi i tyre është ajo që e bënë këtë natë më të bukur e më të veçantë. Këtë vit, darka do të shtrohet vetëm në rrethin e ngushtë familjar, sepse mënyra më e mirë për të festuar këtë herë është duke u kujdesur për të tjerët. Fundja, gjatë festave ne ndajmë dashuri dhe respekt, e mënyra më e mirë për ta bërë këtë në këtë fundvit është duke u përkujdesur për shëndetin e atyre që i kemi për zemër”, tha Vjosa Osmani për Telegrafin.

E kur vjen puna te dekoret e festive, duket se “barra” që shtëpia të duket sa më bukur bie te dy më të voglat e shtëpisë.
“Besoj se, sikur në shumicën e familjeve të Kosovës, festat janë një mundësi e artë për të qenë bashkë me më të dashurit tanë. Të tilla janë festat edhe në familjen tonë. Është koha që ne e pëlqejmë shumë, ngaqë na bashkon, si dhe na jep mundësinë të reflektojnë mbi atë se çfarë kemi bërë gjatë vitit e si mund të veprojmë më mirë në vitin që vjen. E për dekorin, i plotësojmë çdoherë dëshirat e të dy vajzave tona: Anda e Dua. Ato janë kuratoret më entuziaste dhe ia dalin për mrekulli”, tregoi ajo.

U.d. Presidentja, Vjosa Osmani me familjarët e saj në zyrën presidenciale për fundvit (Foto: Telegrafi)

Mesazhi dhe urimi i Vjosa Osmanit për lexuesit e Telegrafit: “Po lëmë pas një vit jo të lehtë e të dhimbshëm e me sfida të panumërta, ndër të cilat më e vështira ka qenë përballja me pandeminë. Me këtë rast, dua t’u shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që humbën më të dashurit e tyre, por edhe t’i falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në cilëndo formë për ta sfiduar pandeminë, veçanërisht personelin shëndetësor, të cilët na e dhanë shembullin se vetëmohimi dhe përkushtimi për të mirën e përbashkët është gjithmonë i mundur dhe dobiprurës. Falënderime të përzemërta edhe miqve tanë dhe partnerëve që na qëndruan pranë nesh edhe në këtë sfidë. Në prag të ndërrimit të motmoteve, ju uroj të gjithë qytetarëve të Kosovë, si dhe gjithë shqiptarëve anembanë botës, shëndet, paqe e lumturi. Uroj që viti 2021 të jetë vit i progresit për Kosovën, i mirëqenies për qytetarët tanë, dhe i paqes dhe i solidaritetit në gjithë botën”. /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë
Alby the Goat në lidhje të re dashurie pas eksperiencës në Big Brother VIP Kosova

Alby the Goat në lidhje të re dashurie pas eksperiencës në Big Brother VIP Kosova

Magazina
“Çorapet blu, kishin domethënien ‘qetësohu’”, Fifi dhe Sara tregojnë kodet që familjarët u dërgonin përmes rrobave në Big Brother VIP Albania

“Çorapet blu, kishin domethënien ‘qetësohu’”, Fifi dhe Sara tregojnë kodet që familjarët u dërgonin përmes rrobave në Big Brother VIP Albania

Magazina
“A do të martohesh me mua?” – Bardhi i propozon Sarës gjatë emisionit

“A do të martohesh me mua?” – Bardhi i propozon Sarës gjatë emisionit

Magazina
Bebe Rexha rrëzohet në skenë gjatë performancës në festivalin

Bebe Rexha rrëzohet në skenë gjatë performancës në festivalin "Coachella 2024"

Magazina
Ylli australian i TikTok-ut, Leah Halton tregon se si po e përballon famën e saj të re, pasi fitoi 700 milionë shikime për klipin 12-sekondësh

Ylli australian i TikTok-ut, Leah Halton tregon se si po e përballon famën e saj të re, pasi fitoi 700 milionë shikime për klipin 12-sekondësh

Magazina
Sara Gjordeni zbulon mallkimet tronditëse që mori për shtatzëninë, nga komentuesit kërcënues

Sara Gjordeni zbulon mallkimet tronditëse që mori për shtatzëninë, nga komentuesit kërcënues

Magazina
Kalo në kategori