Rama: Qeveria dha 4 milionë euro për koncertin e Kanye West për të shmangur anulimin, jo 50 milionë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj debatit publik për financimin e koncertit të artistit amerikan Kanye West në Tiranë, duke mohuar pretendimet se shteti ka shpenzuar 50 milionë euro për organizimin e ngjarjes.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama i cilësoi këto pretendime si “gënjeshtër” dhe “shpifje”, duke akuzuar kundërshtarët politikë dhe kritikët se po përhapin dezinformim për të manipuluar opinionin publik.
Sipas tij, koncerti ishte planifikuar që në fillim të financohej tërësisht nga sponsorët dhe nga të ardhurat e shitjes së biletave, ndërsa qeveria kishte nënshkruar vetëm një letër gatishmërie si mikpritëse e aktivitetit.
“Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar sigurinë dhe mbështetjen logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar”, deklaroi Rama.
Megjithatë, ai bëri të ditur se qeveria ndërhyri në momentet e fundit me një mbështetje financiare prej 4 milionë eurosh për të shmangur anulimin e koncertit.
“U detyruam të ndërhyjmë vetëm mbrëmë me 4 milionë euro për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë, veçanërisht përballë dhjetëra mijëra të huajve që kishin blerë bileta”, tha kryeministri.
Rama argumentoi se kjo shumë është shumë më e ulët se shifra prej 50 milionë eurosh e përfolur në publik dhe se investimi do të rikthehet përmes ndikimit ekonomik që do të ketë eventi.
Sipas tij, koncerti pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonominë e Tiranës, falë mijëra vizitorëve të huaj, si dhe do të shërbejë për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Gjatë reagimit, kryeministri sulmoi ashpër edhe ata që kanë përhapur pretendimet për financimin e koncertit, duke i akuzuar për shpifje, manipulim dhe dezinformim. Ai kritikoi gjithashtu disa parti opozitare dhe aktivistë, të cilët, sipas tij, po përdorin çështjen për qëllime politike.
Në fund të deklaratës, Rama theksoi se respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por shtoi se protestat nuk duhet të mbështeten mbi, siç u shpreh ai, “shpifje, dezinformim dhe manipulim”.
“Problemi nuk është ushtrimi i lirisë së protestës. Problemi është kur protesta ushqehet me shpifje, me dezinformim dhe me manipulim dhe kur kthehet në një mjet për ta kthyer vendin mbrapa”, deklaroi Rama.



































