Bujku istogas kritikon ministrin Muja: Mjaft me fjalë boshe, nuk kërkojmë mëshirë - por drejtësi dhe dëmshpërblim

Bujku nga Istogu, Nazmi Blakaj, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, lidhur me, siç ka thënë ai, mungesën e mbështetjes për fermerët e dëmtuar nga breshëri.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Blakaj ka kritikuar prioritetet e institucioneve, duke i krahasuar ato me mbështetjen që, sipas tij, po u ofrohet pjesëtarëve të mërgatës.
“Për mërgatën gjeni pare për sigurime të veturave luksoze e bileta avioni, ndërsa fermerit që breshëri ia ka shkatërruar krejt mundin e vitit — asnjë zgjidhje, asnjë përgjegjësi, asnjë seriozitet!”, ka shkruar Blakaj, raporton Telegrafi.
Ai ka thënë se edhe pjesëtarë të mërgatës kanë kërkuar që fondet publike të orientohen drejt prodhuesve vendorë dhe fermerëve.
“Madje, edhe mërgata e ka thënë qartë: nuk duam që shteti të na paguajë sigurimin e veturave. Ne duam që paratë të shkojnë aty ku e fuqizojnë Kosovën — te prodhuesi vendor, te fermeri dhe te ekonomia jonë”, ka deklaruar ai.
Blakaj ka kritikuar edhe varësinë e Kosovës nga importi, duke kërkuar më shumë mbështetje për prodhimin vendor.
“Kosova importon rreth 90% të mallrave. Në vend se ta fuqizoni fermerin, ta mbroni prodhimin vendor dhe ta ulni varësinë nga importi, ju e lini fermerin të falimentojë e pastaj prisni që ushqimin ta blejmë jashtë!”, ka shkruar ai.
Sipas tij, institucionet duhet të ndërmarrin masa konkrete për fermerët që kanë pësuar dëme nga breshëri.
“Fermeri nuk kërkon mëshirë — kërkon drejtësi, dëmshpërblim dhe përgjegjësi!”, ka thënë Blakaj, shkruan Telegrafi.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të kompensojë fermerët e dëmtuar dhe të investojë më shumë në bujqësi dhe prodhimin vendor.
“Mbështeteni prodhuesin vendor. Kompensojeni fermerin që është dëmtuar nga breshëri. Investoni në bujqësi dhe në prodhimin e Kosovës. Mjaft me fjalë boshe!”, ka deklaruar ai.
Në fund, Blakaj ka përsëritur thirrjen që prioritet i institucioneve të jetë mbështetja për qytetarët, fermerët dhe prodhuesit vendorë.
“Qeveri, prioritetet duhet të jenë tek qytetari, fermeri dhe prodhuesi vendor — jo tek luksi dhe privilegjet!”, ka përfunduar reagimin e tij. /Telegrafi/











































