Basha: Rruga Rakosh–Cërkolez drejt përfundimit

Projekti për ndërtimin e rrugës rajonale R221, në segmentin Rakosh–Cërkolez, po avancon me ritëm të shpejtë drejt përfundimit.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se pas adresimit të disa problemeve që kishin ndikuar në ecurinë e punimeve, projekti tashmë është duke avancuar.
Basha ka thënë se institucionet janë vazhdimisht në terren dhe në koordinim me akterët përgjegjës për të eliminuar pengesat dhe për të përshpejtuar punimet.
Një nga çështjet që ende kërkon zgjidhje është zhvendosja e disa shtyllave elektrike, për të cilat është duke u bashkëpunuar me KEDS-in. Shtyllat aktualisht po pengojnë realizimin e plotë të trotuarit në disa pjesë të segmentit.
“Jemi vazhdimisht në terren dhe në bashkëpunim me të gjithë akterët, për t’i adresuar pengesat, përshpejtuar punimet dhe për ta bërë këtë rrugë sa më shpejt të gatshme për qytetarët”, ka deklaruar ministri në detyrë Basha.
Përfundimi i segmentit Rakosh–Cërkolez pritet të përmirësojë qarkullimin dhe sigurinë rrugore, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe qytetarëve që përdorin këtë arterie rrugore. /Telegrafi/






































