LAJMI I FUNDIT:

Gjykimi për krime lufte, çka tha në seancë i akuzuari Dragisha Millenkoviq?

Gjykimi për krime lufte, çka tha në seancë i akuzuari Dragisha Millenkoviq?

Dragisha Millenkoviq, i akuzuar për krime lufte, ka dhënë mbrojtjen e tij në seancën e së enjtes, 20.03.2025, në Gjykatën e Prishtinës.

Dragisha Millenkoviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Kujtim Krasniqi, anëtarët Arben Hoti dhe Rrahman Beqiri, në fillim të seancës bënë të ditur se sot do të vazhdohet me mbrojtjen e të akuzuarit.


Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i tij, Dejan Vasiq, i akuzuari Dragisha Millenkoviq tha se në Burgun e Prishtinës ishte punësuar më 01.07.1993 dhe kishte punuar deri në vitin 1999 kur ishte nënshkruar armëpushimi dhe se 10 ditë pas kësaj, kur ishte tërhequr Ushtria dhe Policia e Serbisë, kishin qëndruar edhe 10 ditë më pas në Burgun e Prishtinës derisa kishte ardhur Inspekcioni i UNMIK-it, i cili u kishte thënë që duhet ta lironin burgun.

“A mund të na përshkruani strukturën etnike të të punësuarve në Burgun e Prishtinës?”-  e pyeti avokati Dejan Vasiq.

“Kur jam punësuar unë gardianët të cilët kanë qenë shqiptarë shumica kanë qenë njerëz më të shtyrë në moshë para pensionit. Ndër personat më të rinj që jemi punësuar në Burgun e Prishtinës ka qenë Skender Hoti. Unë jam punësuar dhe një djalosh nga Serbia i cili është punësuar si vozitës”  – tha Millenkoviq.

Ai gjatë mbrojtjes së tij po ashtu tha se drejtor i Burgut të Prishtinës kishte qenë Lubomir Cimburoviq, ndërsa zëvendësdrejtor  kishte qenë Ramiz Pajaziti.

Ramiz Pajaziti, sipas të akuzuarit, e kishte pasur obligim një herë në javë të vizitonte secilën dhomë.

“Në ato dhoma një nga të paraburgosurit është dashur t’i raportojë se a ka ndonjë problem në atë dhomë sepse kishin qenë nga 4-5 persona në dhomë dhe kishte mundur të ketë ndonjë mosmarrëveshje dhe ai person ishte dashur të raportojë a kishte ndonjë problem dhe sipas nevojës kishte ndodhur që të vijë nga 5 herë t’i vizitojë dhe të shohë a ka ndonjë problem dhe a është ankuar dikush” – tha i akuzuari.

“Secili i paraburgosur që ka ardhur në Burgun e Prishtinës e ka njohur Ramizin sikur babanë, nënën apo vëllanë e tij” – shtoi i akuzuari Millenkoviq.

“Në kohën e bombardimeve a keni shkuar dhe punuar në Burgun e Lipjanit?” – e pyeti avokati Dejan Vasiq të akuzuarin.

“Në ditën kur kanë filluar bombardimet dhe është shpallur gjendja e luftës, këtë e dinë edhe dëshmitarët, disa ditë tani nuk më kujtohet data për disa ditë Burgu i Prishtinë është transferuar komplet një pjesë në Lipjan, një pjesë në burgjet e Serbisë. Unë asnjë ditë nuk kam lëvizur nga Kosova dhe nuk e di se ku kanë shkuar ata persona. Kur janë transferuar ata persona me ta bartet e tërë arkiv,a të gjitha kanë filluar në Burgun e Prishtinës, Lipjanit janë bartë me kamion, kemi pasur edhe traktor e tëra që ka mundur të bartet ka shkuar në Serbi” – tha Millenkoviq.

Gjatë mbrojtjes së tij lidhur me periudhën për vitet 1997-1998 vite me të cilat ka të bëjë aktakuza, ai tha se i kujtohen 3-4 emra prej dëshmitarëve të cilët kanë dhënë dëshmi për ngjarje në Burgun e Prishtinës ndërsa të tjerët që kishin dëshmuar nuk i kishte njohur.

“Më kujtohet dëshmitari i parë Agron Ramadani, kur e kam pa këtu që ka dhënë dëshminë dhe nuk kam besuar kur e kam pa në atë gjendje të tillë me paterica, të dëmtuarin e dytë Ali Xhyliqi, Bislim Zogaj, Demir Limaj dhe Isak Shabani” – tha Dragisha Millenkoviq.

Tutje gjatë mbrojtjes së tij ai tha se të burgosurit politikë kanë pasur trajtim më ndryshe në krahasim me të burgosurit e tjerë.

“Në vitin 1996 ose 1997, kati i parë i burgut është rinovuar dhe aty i kanë vendosur në vetmi. Qelitë e para nga 1 deri 4 kanë qenë në vëzhgim të kamerave, një ekran ka qenë në zyrat tona në paraburgim, një tek udhëheqësi i ndërrimeve dhe një tek shefat e burgut” – tha Millenkoviq.

Seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës është caktuar të mbahet nesër, kur do të vazhdojë mbrojtjen e tij i akuzuari Dragisha Millenkoviq.

Nga Prokuroria prezent në seancën e sotme ishte prokurori Kastriot Memaj.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Millenkoviq po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.

Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21.06.2023, e për arrestimin e tij ishte protestuar në Graçanicë.

Millenkoviq ishte sjellë më 22.06.2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.

Millenkoviq akuzohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja në shëndet

Përveç kësaj, mbi të burgosurit sipas dosjes së Prokurorisë ishte ushtruar edhe dhunë psikike.

Këto veprime, Millenkoviq akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë ndër të cilët ish-drejtori i Burgut të qarkut të Prishtinës, Lubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.

Sipas prokurorit Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës, raporton Kallxo.