LAJMI I FUNDIT:

Arrestimi i Veliajt me urdhër të SPAK, reagon delegacioni i BE në Tiranë 

Arrestimi i Veliajt me urdhër të SPAK, reagon delegacioni i BE në Tiranë 

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me urdhër të SPAK.

Në deklaratën zyrtare, BE-ja bën të ditur se po ndjek nga afër zhvillimet, por thekson se nuk komenton mbi proceset gjyqësore në vazhdim.

“Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim,” thuhet në reagimin e delegacionit.


Bashkimi Evropian e konsideron reformën në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës si elementë kyç në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Për këtë arsye, ai shprehet i përkushtuar në mbështetjen e reformave dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë, duke garantuar pavarësinë, llogaridhënien dhe përputhshmërinë e tyre me standardet evropiane.

Në deklaratë theksohet gjithashtu rëndësia e SPAK si një institucion i pavarur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

BE-ja nënvizon se ky institucion duhet të ushtrojë punën e tij pa ndërhyrje politike apo presione të padrejta, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Ky reagim vjen në një moment të rëndësishëm për reformën në drejtësi, ndërsa institucionet shqiptare vijojnë përpjekjet për të garantuar transparencën dhe funksionimin e ligjit.