LAJMI I FUNDIT:

Vonesat për formimin e qeverisë, negative për ekonominë

Vonesat për formimin e qeverisë, negative për ekonominë

Vonesa që po shkaktohet në krijimin e instituticioneve të reja, sipas njohësve të çështjeve ekonomike po ndikon negativisht edhe në aspektin e investimeve të huaja. E gjithashtu po preket edhe sektori privat.

Tash e një kohë ka filluar të diskutohet për pengesat buxhetore, që mund të shkaktoj vonesa e formimit e qeverisë së re. Nëse nuk ndodhë kjo me 1 mars nuk do të mund të realizohet asnjë pagesë, përfshirë edhe pagat e punonjësve shtetërorë.

E për njohësin e çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, mos formimi i qeverisë paraqet edhe dëmtim të perspektivës së Kosovës, në aspektin e investimeve të huaja.


“Po dëmtohet perspektiva e Kosovës dhe qytetarët. Investitorët e jashtëm tani a tutje më së paku do ta shohin Kosovën si vend potencialisht i mundshëm për të investuar dhe kjo do të rezultojë në ulje të mirëqenies dhe ngritje të papunësisë dhe më e rënda është se rinia e Kosovës nuk mund ta sheh më këtë vend ku mund të jetohet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Mustafë Kadriaj.

E Sefer Zogaj nga Instituti për kërkime ekonomike, thotë se mos-formimi i qeverisë ndikon negativisht edhe te sektori privat, përcjell Telegrafi.

“Asnjë biznes serioz nuk mund ta kalkulojë zhvillimin pa pasur institucione serioze sepse shteti bashkëpunon me sektorin privat në mënyrë që sektori privat zhvillohet e buxheti i shtetin mbushet nga taksat e tyre. Pra këtu kemi një ndërlidhje që duket komplekse që pa një organizim konkret institucional nuk mund të kalkulohet në zhvillim e progres”, deklaroi Sefer Zogaj.

Ndonëse kanë kaluar 3 muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve, Kosova ende ka arritur t’i formoi institucionet e reja, kjo për shkak se dy partitë që dolën të parat Vetëvendosje e LDK, nuk po e gjejnë formulën e arritjes së një koalicioni bashkë qeverisës./RTV Dukagjini/Telegrafi/