Liverpooli është këshilluar fuqishëm të rishqyrtojë qëndrimin ndaj Trent Alexander-Arnoldit dhe të eksplorojë mundësinë e një rikthimi sensacional të mbrojtësit në "Anfield" gjatë kësaj vere.

Mbrojtësi i djathtë u largua nga klubi ku u rrit futbollistikisht për t'iu bashkuar Real Madridit verën e kaluar, një vendim që shkaktoi zhgënjim të madh te tifozët e Liverpoolit.


Megjithatë, aventura e tij në Spanjë nuk ka shkuar sipas pritshmërive dhe kjo ka bërë që të lindin zëra për një rikthim të mundshëm në Ligën Premier.

Një periudhë e vështirë në Spanjë

Alexander-Arnold u transferua te Real Madridi verën e kaluar, por nuk ka arritur të lërë gjurmën që pritej. Anglezi ishte titullar në vetëm 14 ndeshje të La Ligës sezonin e kaluar dhe, për herë të parë që nga sezoni i tij i debutimit me ekipin e parë të Liverpoolit, nuk arriti të shënonte asnjë gol në asnjë kompeticion.

Duke folur në emisionin Transfer Insiders të talkSPORT, gazetarja Angelina Kelly argumentoi se Liverpooli ka arsye të forta për të menduar seriozisht rikthimin e tij.

Sipas saj, klubi duhet të lërë mënjanë emocionet dhe zhgënjimin që shkaktoi largimi i mbrojtësit, pasi skuadra ka nevojë për një zgjidhje në krahun e djathtë të mbrojtjes. Conor Bradley vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërsa Jeremie Frimpong shihet si një lojtar që jep më shumë në fazën sulmuese sesa në mbrojtje.

"Koha për ta falur"

Transferimi i Alexander-Arnoldit te Real Madridi krijoi një përçarje të madhe mes futbollistit dhe një pjese të tifozëve të Liverpoolit, por Kelly beson se është koha që palët të lënë pas atë që ndodhi.

"E di si ndihen tifozët kur një lojtar, sipas tyre, e tradhton klubin, sidomos kur bëhet fjalë për një djalë të lindur në Liverpool. E kuptoj plotësisht këtë ndjenjë", tha Kelly.

Ajo shtoi se është e vështirë për çdo futbollist t'i thotë "jo" një oferte nga Real Madridi.

"Kur të kërkon Real Madridi, është shumë e vështirë të refuzosh dhe duhet të jemi të sinqertë për këtë. Ai bëri transferimin, por gjërat nuk kanë shkuar siç pritej. Kur e shikon Liverpoolin, pyetja është nëse skuadra ka nevojë për një mbrojtës të djathtë".

:Frimpong nuk la përshtypjen më të mirë sezonin e kaluar dhe mendoj se ai është më i përshtatshëm për të luajtur më përpara, ndërsa Bradley është i dëmtuar. Ndoshta Liverpooli duhet ta lërë pas atë që ndodhi dhe të shqyrtojë seriozisht situatën e Trentit".

Dumfries ia ndërlikon edhe më shumë situatën

Pozita e Alexander-Arnoldit te Real Madridi është bërë edhe më e vështirë pas transferimit të Denzel Dumfries. Sipas raportimeve, trajneri Jose Mourinho e preferon holandezin për shkak të sigurisë që ofron në fazën mbrojtëse, çka e shtyn anglezin edhe më poshtë në hierarkinë e skuadrës.

Kelly beson se kjo është një arsye shtesë pse Liverpooli duhet të mendojë për rikthimin e ish-lojtarit të tij.

"Nuk po them se duhet ta nënshkruajnë menjëherë, por të paktën ta eksplorojnë këtë mundësi. Real Madridi ka afruar një tjetër mbrojtës të djathtë, Denzel Dumfries, dhe kjo nuk është aspak një lajm i mirë për Trentin".

"Pse të mos marrin të gjithë pak përgjegjësi, ta lënë pas atë që ndodhi dhe të jenë sërish bashkë? Unë besoj se ekziston një rrugë kthimi dhe jam e bindur se ka të paktën një tifoz të Liverpoolit që do ta donte sërish Trentin në 'Anfield'. Nuk besoj se jam e vetmja që mendoj kështu", deklaroi Kelly. /Telegrafi/

telegrafi sport app