Gërmimet për varreza të dyshuara masive në Zubin Potok po vazhdojnë, ndërsa autoritetet e Kosovës po hetojnë edhe një lokacion të ri në fshatin Jabukë, ku dyshohet për praninë e mbetjeve mortore.

Zbulimet e mundshme në këto lokacione mund të sjellin dëshmi të reja për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe për fatin e personave të zhdukur.


Ndërkohë, në kohën kur në Kosovë po zhvillohen kërkime për zbardhjen e së kaluarës së luftës, në Beograd po rikthehet një retorikë gjithnjë e më e ashpër politike ndaj Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, dhe zyrtarë të tjerë serbë vazhdojnë të përsërisin pretendimin se Kosova është pjesë e Serbisë. Në të njëjtën linjë janë edhe deklaratat e zyrtarëve të tjerë, përfshirë Snezhana Paunoviq, e cila ka folur për një pretendim për “spastrim etnik” të shqiptarëve, ndërsa Petar Petkoviq ka ngritur akuza për përndjekje të serbëve në Kosovë.

Retorikës së Beogradit i është bashkuar edhe Aleksandar Vulin, i cili së fundmi e ka cilësuar Kosovën si “Jeruzalemi i Serbisë”.

Këto deklarata, sipas njohësve të çështjeve politike dhe të sigurisë, nuk janë vetëm pjesë e një diskursi të zakonshëm politik, por shihen si pjesë e një narrative të qëllimshme për të ndikuar në opinionin publik dhe për të justifikuar politikisht qasjen e Beogradit ndaj Kosovës.

Profesori i gjeopolitikës, Dorajet Imeri, thotë se retorika e sotme serbe duhet të shihet në kontekstin e zhvillimeve të së kaluarës dhe të krimeve të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

“Nuk mund të ndodhë spastrim etnik nëse nuk ka vrasje dhe sidomos vrasje masive, nëse nuk ka përndjekje, nëse nuk ka shkatërrim të territorit, përkatësisht të vendbanimeve. Serbia i ka kryer të gjitha pra: ka vrarë njerëzit, i ka fshehur gjurmët, ka krijuar varreza masive duke i shmangur gjurmët e krimeve të cilat ajo i ka kryer”, tha Imeri.

Sipas tij, deklaratat e sotme të zyrtarëve serbë janë në vazhdën e një narrative që, siç vlerëson ai, Serbia e ka përdorur edhe në të kaluarën.

Ndërkaq, Gurakuq Kuçi nga Instituti Octopus thotë se retorika e Beogradit synon të krijojë një klimë të re politike dhe psikologjike brenda Serbisë.

“Ata dëshirojnë të ngjallin një urrejtje sa më të madhe kundër Kosovës dhe po ashtu edhe të përgatisin dhe mobilizojnë psikologjikisht popullin e tyre për të reaguar kundër Kosovës në momentin e caktuar”, tha Kuçi.

Ai i referohet edhe deklaratave të fundit të Vuçiqit dhe Vulin, duke argumentuar se ato mund të interpretohen si pjesë e një strategjie më të gjerë politike ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë kërkojnë një reagim më të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar ndaj retorikës së Beogradit.

Fatmir Çollaku, drejtor i Institutit për Hulumtimin në Drejtësi dhe Siguri, vlerëson se deklaratat e tilla duhet të shoqërohen me reagime konkrete ndërkombëtare.

“Duhet një qasje më e rëndë, një qasje me kritikë, një qasje që do të duhej të karakterizohej edhe me sanksione”, tha Çollaku, duke kritikuar atë që e cilëson si trajtim të pabarabartë të Kosovës dhe Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare.

Sipas tij, mungesa e një qëndrimi të unifikuar ndërkombëtar ndaj Beogradit po krijon një situatë ku retorika politike agresive mund të vazhdojë pa pasoja të mjaftueshme.

Në këtë kontekst, ekspertët paralajmërojnë se heshtja ose reagimi i butë ndërkombëtar ndaj deklaratave kërcënuese dhe pretendimeve territoriale mund të kontribuojë në normalizimin e një narrative që rrit tensionet dhe mund të ketë pasoja për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.

Ndërsa në terren vazhdojnë kërkimet për varreza të dyshuara masive dhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, retorika politike në Beograd po rikthehet te temat e territorit, identitetit dhe pretendimeve ndaj Kosovës, duke nxitur shqetësime për drejtimin e marrëdhënieve në rajon.