Katër emra janë zbuluar, por surpriza e madhe vjen të dielën: Festivali “Shqip Up Comedy” gati për edicionin jubilar në Cyrih

Edicioni i pestë i “Shqip Up Comedy Festival” po merr formë, teksa janë zbuluar katër prej pesë artistëve që do të ngjiten në skenën e festivalit të stand-up komedisë në Cyrih.
T-Ronimo, Lulzim Bucolli, Drilona dhe Luan Comedy janë katër emrat e parë të konfirmuar për edicionin jubilar të festivalit, i cili këtë vit shënon pesë vjet nga themelimi.
Festivali do të mbahet më 31 tetor, në Stadthalle Dietikon, në Cyrih të Zvicrës, ku pritet të mblidhet një numër i madh i publikut shqiptar nga diaspora për një mbrëmje të mbushur me humor dhe të qeshura.
Megjithatë, line-up-i ende nuk është i kompletuar.
Organizatorët kanë bërë të ditur se emri i artistit të pestë do të zbulohet të dielën, duke e mbajtur kështu ende të hapur një prej surprizave kryesore të edicionit të sivjetmë.
Si edicion jubilar, “Shqip Up Comedy Festival” synon të sjellë një atmosferë edhe më të veçantë për publikun, duke vazhduar traditën e krijuar gjatë pesë viteve të fundit.
Përmes artistëve të njohur të skenës së stand-up komedisë shqiptare, festivali është shndërruar në një prej ngjarjeve që bashkon komunitetin shqiptar në diasporë përmes humorit dhe argëtimit.
Edicioni i pestë premton një mbrëmje të veçantë, me katër artistët e konfirmuar deri tani dhe një emër të pestë që pritet t’i bashkohet line-up-it.
Për ata që duan ta sigurojnë pjesëmarrjen me kohë, biletat do të dalin në shitje më 26 gusht.
Fillimisht do të jenë në dispozicion biletat “Early Bird”, ndërsa më pas shitja do të vazhdojë me kategoritë Regular dhe VIP.
Organizatorët presin interesim të madh nga diaspora shqiptare në Zvicër dhe vendet përreth, veçanërisht për shkak të karakterit jubilar të këtij edicioni.
Por festa e “Shqip Up Comedy Festival” nuk do të përfundojë në Cyrih.
Pas mbrëmjes së 31 tetorit në Stadthalle Dietikon, festivali do të udhëtojë drejt Gjermanisë, ku do të mbahet edhe një edicion tjetër special në Frankfurt.
Deri atëherë, mbetet të zbulohet edhe emri i pestë që do ta kompletojë skenën e edicionit të pestë të “Shqip Up Comedy Festival”. /Telegrafi/















































