Nuk është Barcola - Liverpooli përgatit zgjidhjen befasuese për të zëvendësuar Salahun

Largimi i befasishëm i Mohamed Salah pas nëntë vitesh të jashtëzakonshme në “Anfield” ka lënë një boshllëk të madh në krahun e djathtë të sulmit të Liverpoolit.
Trajneri i ri i “Reds”, Andoni Iraola, po kërkon zgjidhjen më të mirë për të mbushur hapësirën e lënë nga ylli egjiptian, por duke parë vështirësitë në tregun e transferimeve, ai mund të vendosë t’i besojë një lojtari që tashmë është pjesë e skuadrës.
Salah u largua nga Liverpooli në fund të sezonit të kaluar pas një periudhe të artë në klub, ku fitoi të gjitha trofetë kryesorë dhe u shndërrua në një prej figurave më të mëdha në historinë e klubit. Zëvendësimi i tij konsiderohet një nga sfidat më të mëdha për Iraolën.
Fillimisht, Liverpooli kishte identifikuar sulmuesin e Paris Saint-Germain, Bradley Barcola, si një prej objektivave kryesorë për krahun e sulmit. Megjithatë, transferimi i francezit duket shumë i vështirë, pasi PSG kërkon një shumë rreth 145 milionë funte për ta lënë të lirë.
Për më tepër, Barcola preferon të luajë në krahun e majtë, aty ku Liverpooli tashmë ka alternativa si Cody Gakpo dhe talentin e ri Rio Ngumoha. Kjo e bën më të komplikuar përshtatjen e tij në rolin që kishte Salah.

Iraola mendon për një rol të ri për Frimpongun
Sipas raportimeve nga Anglia, Iraola po shqyrton mundësinë që ta avancojë në sulm Jeremie Frimpong, duke e shndërruar atë në një alternativë për krahun e djathtë.
Holandezi pati një sezon debutues të vështirë te Liverpooli, i ndikuar edhe nga problemet me dëmtimet, ndërsa nuk arriti të bindë plotësisht në rolin tradicional të mbrojtësit.
Megjithatë, klubi beson se cilësitë e tij më të mëdha janë në fazën ofensive. Shpejtësia, aftësia për të depërtuar në zonë dhe agresiviteti në sulm mund ta bëjnë Frimpongun një lojtar shumë të rrezikshëm në një pozicion më të avancuar.
Ideja e Iraolës është që t’i zvogëlojë përgjegjësitë mbrojtëse dhe të shfrytëzojë maksimalisht aftësitë e tij në sulm, duke e afruar me rolin që kishte Salah për vite me radhë në krahun e djathtë.

Përveç Frimpongut, Liverpooli ka edhe një tjetër alternativë në atë krah me afrimin e ri Víctor Muñoz, por klubi beson se holandezi mund të jetë zgjidhja më e afërt për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga largimi i Salahut. /Telegrafi/














































