LAJMI I FUNDIT:

Trumpi po poshtëron armiqtë e tij të “zgjimit” – dhe është kënaqësi ta shohësh

Trumpi po poshtëron armiqtë e tij të “zgjimit” – dhe është kënaqësi ta shohësh
Donald Trump

Nga: Annabel Denham / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Për vite me radhë, ne që guxuam të paralajmëronim se dogma e Diversitetit, Barazisë dhe Përfshirjes (DEI) po shkatërronte, në vend që të mbështeste, vlerat perëndimore të meritokracisë dhe barazisë, u denoncuam si fanatikë të pandjeshëm, të cilët do të duhej të pajtoheshin me programin. Luftëtarët e kulturës së “zgjimit” [woke] nënshtruan institucionet tona, ngulitën doktrinën e drejtësisë sociale në kompanitë tona, anuluan akademikët – megjithatë pretenduan se mbanin epërsinë morale, sepse po krijonin një shoqëri më “të drejtë” dhe më “tolerante”.

Pavarësisht të gjitha provave që tregonin të kundërtën, ata këmbëngulën se kurrë nuk kishim qenë më paragjykues. Na imponuan imperativin e “barazisë”: jo atë të barazisë së mundësive, por të barazisë së rezultateve. Dhe, shumë vetë e përtypën këtë narrativë – [kryeministri] Keir me dy standarde ra në gjunjë; studentët e privilegjuar të Universitetit të Kolumbias u maskuan si gazanë; ndërsa shefja e zjarrfikësve të Los Anxhelosit shpalli përkushtimin e saj ndaj DEI-së, sikur dikush do të shqetësohej për gjininë e një zjarrfikësi kur shtëpia e tij është në flakë.


Qeveritë u përpoqën të legjitimonin diversitetin; bizneset, ose u bindën ose u mashtruan të besonin se duhej të pranonin axhendën e “zgjimit”, përndryshe rrezikonin falimentimin. Autoritetet publike në Mbretërinë e Bashkuar filluan të shpenzonin mbi 500 milionë paundë në vit nga paratë e taksapaguesve për vende pune të lidhura me diversitetin dhe përfshirjen, ndërsa kompanitë amerikane po derdhnin qindra miliarda dollarë për të “nxitur barazinë racore”.

Prandaj, falni ata prej nesh që janë në anën “primitive” dhe me status të ulët në këtë debati, nëse ndiejmë një kënaqësi të momentit kur dëgjojmë lajmin se Donald Trumpi po ndalon këtë ideologji të dëmshme. Në fakt, ky trend tashmë kishte filluar të kundërshtohej: për muaj me radhë, kompanitë kanë qenë në garë për të hequr skemat e tyre të diversitetit. Vitin e kaluar, Harley-Davidson dhe Jack Daniel’s braktisën objektivat e tyre DEI. Walmart-i po mbyll fondet për Qendrën për Barazinë Racore. Meta dhe Google kanë refuzuar punonjësit dhe programet e DEI. Madje edhe The New York Times publikoi një artikull me titullin: “Universiteti i Miçiganit e dyfishoi përkushtimin ndaj DEI-së: Çfarë shkoi mbrapsht”? (Për të cilin një mendjemprehtë në X u përgjigj: “U dyfishua në DEI”.)

Dhe, tani, Donald Trump ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv që udhëzon agjencitë shtetërore të njohin vetëm dy gjini. Administrata e tij gjithashtu do të shqyrtojë dhe ndoshta do të ndërpresë “programet diskriminuese”, si grantet për drejtësinë mjedisore dhe nismat e diversitetit. Ai tashmë ka shkarkuar drejtoreshën e Rojës Bregdetare të ShBA-së për shkak të shqetësimeve mbi fokusin e saj të tepruar në politikat e DEI-së. Ky rikthim te meritokracia ka nxitur zemërim nga grupet e zakonshme: Fushata për të Drejtat e Njeriut (HRC), organizata më e madhe amerikane për mbrojtjen e të drejtave LGBTQI+, është zotuar të mos “intimidohet” – por, duket se po luftojnë kundër valës.

Mirë për Trumpin dhe fat të mbarë Amerikës. Por, Britania, me sa duket, është një kauzë e humbur. Partia Laburiste nuk mund ta imagjinojë ndryshimin e Aktit të Barazisë të vitit 2010, që shërben si bazë për DEI-n; përkundrazi, synon ta çojë më tej me një Akt të Barazisë Racore, në një përpjekje të kotë dhe tautologjike për të forcuar ligjet tona kundër diskriminimit.

Konservatorët mund të dëshirojnë të heqin disa klauzola, si Seksioni 149, që prezantoi “detyrimin për barazi në sektorin publik”. Megjithatë, përvoja e fundit tregon se u mungon guximi për të ndërmarrë këtë betejë. Në fund të fundit, ishin vetë konservatorët ata që prezantuan raportimin mbi hendekun gjinor të pagave – një ligj krejtësisht i pavlerë i Mejbotit [sipas kryeministres Theresa May], i cili për një periudhë të shkurtër e shndërroi EasyJet-in në armikun publik numër një, derisa njerëzit kuptuan se ishte ndoshta e arsyeshme që gratë stjuardesa të paguheshin më pak se pilotët meshkuj. A do të guxonte Reforma [partia që udhëhiqet nga Nigel Farageit] të përballej me klasën menaxheriale profesionale, punët e së cilës mbështeten kryesisht te politikat e DEI? Ata mund të bëjnë zhurmë, por për të sfiduar qindra-mijëra njerëz që tani punojnë në sektorin e burimeve njerëzore – një nga profesionet më të paguara në vend, që mbahet gjallë nga rregulloret e shumta që kompanitë duhet të ndjekin – do të duhet një vullnet i hekurt.

Një pjesë e problemit është se tani dërgojmë shumë njerëz jo edhe aq të zgjuar, në universitet, ku kampuset shpesh janë të mbushura me ideologji “zgjimi” dhe standardet janë tejet të ulëta. Si rezultat, po krijojmë një brez të ri të rinjsh të kualifikuar për punë profesionale, por që nuk mund t’i gjejnë ato. Megjithatë, DEI mbush boshllëkun, duke ofruar vende të mira pune për këto “elita të arsimuara”. Dhe, ata nuk do t’i lëshojnë ato kollaj.

Ndërkohë që Donald Trumpi shpaloste planin e tij për ta bërë Amerikën edhe më të madhe [MAGA], shtypi britanik raportoi për një pastruese të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) që kishte marrë 400 ditë leje mjekësore, brenda katër vitesh, e cila u pushua nga puna dhe që pretendoi se “problemet e saj të ndërlikuara të shëndetit mendor” përbënin një paaftësi, për çfarë ajo ia doli të fitonte një padi prej gati 50 mijë paundësh. Në ShBA, DEI po vdes. Këtu është Britania ajo që po ngatërron veten. /Telegrafi/