LAJMI I FUNDIT:

Serbët vendosin tenda para Komunës së Zubin Potokut

Serbët vendosin tenda para Komunës së Zubin Potokut

Serbët janë duke vazhduar protestat në komunat veriore, ku po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptar.

Protesta ditën e hënë u shoqërua me tensione të shumta, ku grupe kriminale serbe sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënduar 30 prej tyre, transmeton Telegrafi.


Gjithashtu, ata kanë sulmuar edhe ekipet e mediave nga Kosova dhe Shqipëria.

Ndërsa, sot ata kanë vendosur disa tenda para komunës së Zubin Potokut.

Tensione në veri ka pasur që nga dita e premte, serbët janë duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të vazhdojnë punën në objektet komunale.

Ata kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, si dhe mediat duke ua djegur veturat. Nga zhvillimet e së hënës mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

KFOR në reagimin e bërë për media ka kërkuar të mos përshkallëzohet më tej situata si dhe Kosova dhe Serbia të marrin përgjegjësinë për atë që ka ndodhur në veri.

“Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thotë KFOR.

Protesta e serbëve në veri është duke vazhduar, ndërkaq po vazhdon prania e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në komunat veriore. /Telegrafi/