LAJMI I FUNDIT:

Industria e rrejshme e shkencës së Kinës: Si kërcënohet përparimi nga “fabrikat e letrës”?

Industria e rrejshme e shkencës së Kinës: Si kërcënohet përparimi nga “fabrikat e letrës”?

Nga: Eleanor Olcott (Hong Kong), Clive Cookson (Londër) dhe Alan Smith (Londër) / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Si pjesë e punës së tij si zbulues i mashtrimeve në botimin biomjekësor Spandidos, John Chesebro gërmon nëpër punimet shkencore, duke i shqyrtuar imazhet identike të qelizave. Për të, truket e përdorura nga “fabrikat e letrës” [publikime të rrejshme dhe joprofesionale] – grupet e paguara të organizuara për të fabrikuar studimet shkencore – janë bërë shumë të njohura.

Ato shkojnë nga dyfishimet e qarta – të njëjtat imazhe të kulturave qelizore në pjatat e mikroskopit, të kopjuara nga studimet e shumta e që janë të palidhura – deri te ndërlikimet më delikate. Ndonjëherë, një imazh rrotullohet “për t’ju mashtruar që të mendoni se është më ndryshe”, thotë Chesebro. “Nganjëherë mund të zbuloni se ku pjesët e një imazhi janë manipuluar në mënyrë digjitale, për të shtuar ose hequr qelizat ose veçoritë tjera, për t’i bërë të dhënat të duken si rezultatet që i prisni në hipotezë”. Thotë se refuzon 5-10 për qind të dokumenteve për shkak të dhënave mashtruese ose të çështjeve etike.


Spandidos, me qendër në Athinë dhe në Londër, pranon një vëllim të madh të punimeve nga Kina, me rreth 90 për qind të rezultateve që vijnë nga autorët kinezë. Në mesin e viteve 2010, shkencëtarët e pavarur e akuzuan Spandidos-in për botimin e punimeve me rezultatet që riciklonin të njëjtat grupe të dhënash. Si pjesë e përgjigjes ndaj akuzave, botuesi përdori një ekip detektorësh të brendshëm të mashtrimeve, për të larguar dhe refuzuar kërkimet e rreme.

Gjatë dy dekadave të fundit, studiuesit kinezë janë bërë shkruesit më pjellorë në botë të punimeve shkencore. Instituti për Informacionin Shkencor, organizatë kjo e analizës kërkimore me bazë në ShBA, llogariti se Kina realizoi 3.7 milionë punime në vitin 2021 – 23 për qind e prodhimit global – duke qëndruar pas ShBA-së me 4.4 milionë.

Në të njëjtën kohë, Kina është duke u ngjitur në rangun e numrit të herëve kur një punim citohet nga autorët tjerë, një metrikë e përdorur për të gjykuar cilësinë e prodhimit. Vitin e kaluar, Kina tejkaloi ShBA-në – për herë të parë – me numrin e punimeve më të cituara, kjo sipas Institutit Kombëtar të Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë të Japonisë, megjithëse kjo shifër u bazua nga referencat e shumta të kërkimit kinez që së pari renditi gjenomin e virusit Covid-19.

Rritja e tillë ka shkaktuar shqetësim në kryeqytetet perëndimore. Përparimet kineze në fushat e profilit të lartë, si teknologjia kuantike, gjenomika dhe shkenca hapësinore, si dhe testi befasues i raketave hipersonike të Pekinit dy vjet më parë, kanë përforcuar pikëpamjen se Kina po marshon drejt qëllimit të saj për ta arritur hegjemoninë globale në shkencë dhe në teknologji.

Ky shqetësim është pjesë e thyerjes më të gjerë të besimit në disa qarqe – mes institucioneve perëndimore dhe atyre kineze, me disa universitete që paraqesin kontrolle të historisë së akademikëve kinezë në kohën e frikës së vjedhjes së pronës intelektuale.

Por, ekspertët thonë se prodhimi mbresëlënës i Kinës maskon joefikasitetin sistematik dhe një nënshtresë kërkimesh me cilësi të ulët dhe mashtruese. Akademikët ankohen për presionin dërrmues për të botuar, për të fituar pozita të çmuara në universitetet kërkimore.

“Për të mbijetuar në akademinë kineze, kemi shumë KPI [treguesit kryesorë të performancës] për të arritur. Pra, kur botojmë, fokusohemi te sasia e jo te cilësia”, thotë një pedagog i fizikës nga një universitet i njohur i Pekinit. “Kur punëdhënësit e ardhshëm i shikojnë CV-të tona, është shumë më e lehtë për ata që ta gjykojnë sasinë e prodhimit tonë e jo cilësinë e hulumtimit”, shton ai.

Botuesit shkencorë në botë po bëhen gjithnjë e më të alarmuar nga shkalla e mashtrimit. Një hetim i vitit të kaluar nga Komiteti i tyre i përbashkët për Etikën e Publikimit (Cope), arriti në përfundimin: “Dorëzimi i dokumenteve të dyshuara dhe false kërkimore … po rritet dhe po kërcënon të mbingarkojë proceset editoriale të një numri të konsiderueshëm revistash”.

Problemi është se asnjë botues – madje edhe më vigjilenti – nuk e ka kapacitetin për t’i eliminuar të gjitha mashtrimet. Tërheqjet janë të rralla dhe mund të zgjasin me vite. Ndërkohë, shkencëtarët mund të ndërtojnë mbi gjetjet e një letre të rreme. Në sferën biomjekësore kjo është edhe më shqetësuese, kur qëllimi i shumë kërkimeve është zhvillimi i trajtimeve për sëmundjet e rënda.

Bernhard Sabel, profesor i psikologjisë dhe neuroshkencës në Universitetin Otto-von-Guericke të Magdeburgut, është një nga redaktorët e shumtë të revistës që bën thirrje për “veprim të shpejtë global, për të rivënë shëndetin e të dhënave shkencore dhe për të parandaluar erozionin e besimit në shkencë”.

“Shkenca dhe ‘dashuria e vërtetë’ kanë dy gjëra të përbashkëta: të dyja janë të magjepsura nga pasioni dhe të dy ato mbështeten te besimi”, thotë Sabel. “Nëse e humb besimin, është shumë e vështirë ta kthesh”.

Përhapjet e kërkimeve të dyshimta e kanë ndihmuar paraqitjen e Kinës si central elektrik shkencor dhe teknologjik që tërhoqi vëmendjen e një numri studiuesish të pavarur që kontrollojnë prodhimin e vendit.

Njëri prej tyre është David Bimler, psikolog që më parë ka punuar në Universitetin Massey në Zelandën e Re. Ai i identifikoi 150 dokumente biomjekësore nga Universiteti Jilin, që kanë përdorur të njëjtat paketa të dhënash, dhe arriti në përfundimin se institucioni kishte një fabrikë të brendshme të letrave. Universiteti Jilin u citua nga dy ekspertë tjerë që për Financial Times u përmendën si shkelës kryesorë për gjenerimin e kërkimeve të rreme. Universiteti Jilin nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

“Ata ndoshta nuk e kishin menduar kurrë se njerëzit e zënë do të nisin t’ia kushtojnë vëmendjen punimeve të tyre, sepse nuk u përpoqën ta fshihnin mirë prodhimin masiv”, thotë Bimler.

Organizata e botuesve Cope i përshkruan fabrikat e letrës si “organizata të orientuara drejt fitimit, jozyrtare dhe potencialisht të paligjshme që prodhojnë dhe shesin dorëshkrime mashtruese që duket se i ngjajnë kërkimit të mirëfilltë”.

Vlerësimet e shtrirjes së prodhimit të rremë shkencor gjithmonë ndryshojnë, nga dy për qind në 20 për qind ose më shumë prej punimeve të botuara. Duke e zgjeruar hulumtimin e tij, Sabel i vendos të ardhurat globale të fabrikave të letrës në një minimum prej një miliard euro në vit dhe ndoshta shumë më shumë. Ekziston një marrëveshje e përgjithshme se Kina është një nga shkelësit më të këqij në botë, thotë Sabel, megjithëse Cope thekson se fabrikat e letrës “nuk janë të kufizuara në Kinë”.

Agjentët e internetit që shesin publikime të shkruara sipas porosisë, përhapen në faqet e tregtisë elektronike kineze si Taobao. Një ndërmjetës që kohët e fundit reklamonte në Taobao, i ngarkoi klientët me 800 dollarë për paraqitjen në një publikim vendor mjekësor të nivelit të mesëm.

“Sjellja e keqe shkencore është praktikë e organizuar dhe drejtohet si biznes pothuajse gjithmonë si gjysmë i hapur”, thotë një studiuese kineze e mjekësisë, me bazë në ShBA. Ajo shpjegon se punimet mashtruese, nga universitetet e nivelit të ulët të cilat i përdorin fabrikat më të lira të letrës, janë më të lehta për t’u dalluar. Priren t’i riciklojnë të njëjtat grupe të dhënash mashtruese, për disa herë, ndërsa akademikët në universitetet më prestigjioze mund t’i blejnë të dhënat eksperimentale “të mbetura” nga studiuesit e tjerë.

Pekini ka vendosur dënime për përdorimin e fabrikave të letrës, përfshirë ndalimin e kërkuesve ofendues që të aplikojnë për financime nga qeveria. Por, zbatimi i dobët do të thotë se praktika është ende e përhapur.

Chesebro thotë se flamuri tipik i kuq është kur autorët refuzojnë t’i ndajnë të dhënat themelore që e mbështesin hipotezën. “Kam parë çdo justifikim. Shumë e shumë herë studiuesit kanë thënë se kompjuteri i tyre është prishur. Kam dëgjuar për pesë vdekje autorësh, një mori apo më shumë autorë që u larguan nga instituti dhe që nuk janë më të kontaktueshëm”, thotë ai.

Derisa akademikët në mbarë botën duhet të publikojnë për të avancuar në karrierën e vet, presioni në Kinë përkeqësohet nga shkalla e konkurrencës që lufton për burime të kufizuara. ISI vlerëson se ka më shumë se dy milionë studiues në Kinë që konkurrojnë për fonde nga qeveritë qendrore dhe lokale. Pedagogu i fizikës thotë se kjo krijon “nxitje të institucionalizuar për të mashtruar”, për të goditur objektivat për citimet dhe rezultatet e publikimeve. Akademikëve që botojnë në revistat më të mira u jepen bonuse në të holla në disa universitete, edhe pse kjo praktikë është gjithnjë e më e papranueshme.

Cathie Martin, botaniste në Qendrën John Innes në Noruiç të Mbretërisë së Bashkuar, që drejton shkëmbimet dhe programe të përbashkëta me Akademinë Kineze të Shkencave, është entuziaste për aftësitë e studiuesve kinezë që punojnë në laboratorin e saj të shkencës së bimëve. Por, i di mirë presionet ndaj tyre.

“Të gjitha aspektet e kërkimit shkencor në Kinë bazohen në publikime – jo vetëm pozicionet që ju ofrohen, por edhe niveli i pozicionit”, thotë ajo. “Nëse një nga djemtë e mi kërkon ndonjë pozicion në Kinë, shumë shpesh do t’ju thuhet: ‘Mund të aplikoni në institucionin tonë, nëse e bën një punim më shumë’, dhe më pas ata do t’jua tregojnë nivelin e revistës ku duhet të publikosh”.

Sfera mjekësore ka reputacion veçanërisht të keq për prodhimin e kërkimeve të rreme, sepse klinicistëve u kërkohet të publikojnë për t’u ngjitur në hierarkinë e spitalit, duke i detyruar mjekët me kohë të ngjeshur që t’i kontraktojnë fabrikat e letrës.

Elisabeth Bik, mikrobiologe në Kaliforni që përmend rastet e shkencës së keqe, ishte pjesë e një ekipi që ekzaminoi 20 mijë punime biomjekësore – nga autorët në mbarë botën – dhe zbuloi se 800 nga to kishin raste të “imazheve të dyfishuara në mënyrë të papërshtatshme”. “Punimet nga Kina kishin shans më të lartë se mesatarja, për të përmbajtur imazhe problematike”, thotë ajo.

Shkencëtarët e shquar janë zbuluar tek prodhojnë gjithashtu kërkime të dyshimta. Bik thotë se ajo zbuloi 50 dokumente nga një imunolog i njohur që punon në Kinë, “me probleme të ndryshme – që nga imazhet e vogla deri te imazhet shumë të manipuluara”. Qeveria kineze, pas një shqyrtimi zyrtar vendosi se “nuk ishte përgjegjës për asnjërën nga këto imazhe të manipuluara”, shton Bik. “Mori një shuplakë të vogël në dore, por asgjë serioze. Ai ende është duke botuar.”

Shqyrtimi i kërkimeve të rreme kineze ka përkeqësuar mosbesimin midis institucioneve akademike perëndimore dhe kineze, që tashmë po rritet si pasojë e prishjes së marrëdhënieve gjeopolitike – dhe pretendimeve se studiuesit nga Kina po e përdorin kohën e tyre në laboratorët jashtë shtetit, për ta vjedhur pronën intelektuale.

“Duke pasur parasysh tensionet gjeopolitike, që po shtohen, po kryejmë kontrolle të historisë [së aplikantëve nga Kina] në lidhje me grantet tona dhe aktivitetet e tjera, kurdo dhe kudo që kjo ka r

ëndësi”, thotë Mads Krogsgaard Thomsen, shefi ekzekutiv i Fondacionit Novo Nordisk, një nga financuesit më të mëdhenj të kërkimit akademik në Danimarkë. “E bëjmë këtë bazuar në rekomandimet nga autoritetet dhe në bashkëpunim me përfituesit tanë të granteve”.

Kina me shpejtësi dhe në mënyrë të padiskutueshme u bë lider botëror në komercializimin e kërkimit të matur nga patentat. Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale thotë se zyra e patentave të vendit mori 1.6 milionë aplikime në vitin 2021, krahasuar me 600 mijë për homologun amerikan.

Një aktivitet i tillë i ka shqetësuar qeveritë perëndimore, të cilat kanë ngritur barriera për shumë studiues kinezë të shkencës dhe të teknologjisë – që vijnë në universitetet e tyre – nga frika se këto shkëmbime akademike kanë kontribuar në ngritjen e shpejtë globale të vendit. Disa studiues kinezë në ShBA janë arrestuar nën dyshimin për rrjedhje të pronës intelektuale për Kinën, në kuadër të një programi të kohës së Donald Trumpit për ta çrrënjosur spiunazhin ekonomik.

“Një pjesë e armiqësisë dhe dyshimit në rritje [në Perëndim] ka të bëjë me fushat legjitime për shqetësim, ku disa prej tyre janë paranojake dhe të çuditshme”, thotë James Wilsdon, profesor i politikave kërkimore në University College London. “Por, tani ka shumë shembuj të spiunazhit të shkencës dhe teknologjisë kineze dhe të praktikave të dyshimta”.

Teksa vendet që kanë qenë “kontribuues të mëdhenj në rritjen e shkencës bashkëpunuese” po e ngadalësojnë angazhimin, perspektivat për rezultatet e kërkimit të Kinës “janë shumë më të pasigurta” sesa kanë qenë në të kaluarën e afërt, shton Wilsdon.

Në Kinë, akademikët me trajnim ndërkombëtar kanë më shumë gjasa të publikohen në botimet kryesore. Qingnan Xie, ekspert i pronësisë intelektuale në Universitetin e Harvardit, zbuloi se 76 për qind e artikujve të botuar në revistat Nature and Science nga adresat kineze, kishin një autor që kishte studiuar jashtë shtetit përpara se të kthehej në vendin e vet.

Pekini ka financuar lëvizjen masive të të diplomuarve në shkencë, për të studiuar në universitetet që nga Tokio në San Francisko dhe në Londër – përmes bursave dhe granteve – duke ofruar stimuj për t’u kthyer në vend pasi ta kenë përfunduar arsimin e tyre.

Kjo strategji e ashtuquajtur “breshka e detit” është një shtyllë në politikën më të gjerë për ta zhvilluar një bazë të fuqisë shkencore dhe teknologjike vendase. “Ka nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ka ngritur standardet në Kinë”, thotë Steven Inchcoombe, president për kërkime në Springer Nature.

Derisa tensionet gjeopolitike gërryejnë besimin e nevojshëm për të mbajtur gjallë aktivitetet bashkëpunuese, shkencëtarët thonë se të dy palët do të humbasin. Për shumë laboratore në mbarë botën, studiuesit kinezë janë burim vendimtar i punës për të marrë pjesë në eksperimente në shkallë të gjerë. Studiuesit perëndimorë përfitojnë nga qasja te studentët kinezë të doktoraturës, që janë të lirë dhe mirë të arsimuar, e që mund të ndihmojnë në forcimin e gjetjeve të tyre, duke kryer eksperimente.

“Kina është shumë e mirë në aplikim dhe përsosje”, thotë Inchcoombe. “Por, kultura më shumë është e të menduarit sistematik që ndërtohet mbi kërkime të tjera, ndërsa Perëndimi priret të duartrokas individualizmin. Kina nuk duket se e sheh, në të njëjtën mënyrë, nevojën për heronj të shquar”.

Ligjëruesi i fizikës në Pekin e bën një vërejtje të ngjashme. “Shkencëtarët amerikanë ose britanikë priren të kenë ide të reja dhe të bëjnë kërkime vërtetë novatore”, thotë ai. “Kinezët janë nxënës të shpejtë. Ndihmojnë për të gjetur prova dhe për ta bërë më solide kornizën e punës”.

Carsten Fink, kryeekonomist në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale, thotë se inovacioni kinez është jashtëzakonisht i suksesshëm kur studiuesit janë në gjendje ta “kapërcejnë” teknologjinë ekzistuese drejtë një fushe të re. Një shembull është strategjia e Pekinit për fokusimin e investimeve në prodhimin e automjeteve elektrike dhe jo në tregun tashmë të ngopur të motorëve me djegie. Një tjetër është dominimi i vendit në prodhimin global të paneleve diellore.

Jonathan Adams, kryeshkencëtar në ISI, thekson se bashkëpunimet ndërkombëtare të Kinës janë “të njëanshme ndaj shkencave fizike, shkencat e informacionit dhe të komunikimit, të materialeve dhe fushave të tilla – veçanërisht në ShBA. Në disa fusha të kërkimit amerikan, 80 për qind e botimeve kanë një adresë në Kinë për një bashkautor.

Zbulimi i shtrirjes së përfshirjes kineze në kërkimin amerikan erdhi si “befasi e madhe” për disa politikëbërës amerikanë, thotë Adams. “Ata nuk ishin aspak të vetëdijshëm se sa larg kishin shkuar kërkimet kineze për të mbështetur atë që ata po bënin. Hulumtimi më i cituar i autorizuar nga ShBA-ja, në shumë nga këto fusha teknologjike, ka bashkautorësi me Kinën”.

Mbrojtësit e shkencës në ShBA po punojnë për të qenë të sigurt që bashkëpunimi me Kinën të mos shembet plotësisht. “Kultura jonë e shkencës është fener për shkencëtarët kinezë”, thotë Sudip Parikh, shefi ekzekutiv i Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës. “Ato ndihmojnë për ta pasuruar ekonominë dhe laboratorët tanë. Këto marrëdhënie intelektuale kanë rëndësi dhe është e rëndësishme që ne të mos e humbasim tablonë e madhe të përfitimeve të bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Nëse prishen lidhjet shkencore me Perëndimin, individët që do të vuajnë më shumë janë akademikët e zellshëm kinezë, meqë atmosfera e mosbesimit dhe reputacioni i vendit për kërkime mashtruese e bën më të vështirë për ta fitimin e njohjes ndërkombëtare.

“Ndikimi më i keq është te studiuesit e sinqertë kinezë”, thotë Bimler. “Ka mjaft mbeturina që vijnë nga Kina, saqë studiuesit privatisht pranojnë se nuk i lexojnë punimet nëse janë nga një burim kinez … Shkencëtarët nuk kanë kohë për të përcaktuar se çfarë është mbeturinë e çka jo”. /Telegrafi/