LAJMI I FUNDIT:

Çfarë thonë analistët për mbajtjen e zgjedhjeve në veri?

Çfarë thonë analistët për mbajtjen e zgjedhjeve në veri?

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka konfirmuar këtë të martë se nuk do të merr pjesë në zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të vendit, të cilat janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor. Ndërsa, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive dhe Aleksandar Jabllanoviq nga Partia Serbe e Kosovës janë shprehur skeptikë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve pasi kanë thënë se mund sjellë tensione dhe përshkallëzim të situatës në ato komuna.

Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se rreziku për eskalim të situatës është i lartë dhe se potenciali për destabilizim nga Beogradi mbetet i pranishëm.

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin tha se pas caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat e veriut, situata do të vështirësohet edhe më shumë.


Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi

“Do të ketë tensionim edhe më shumë të situatës në veri për shkak të iritimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës se në një farë mënyre nuk po ka kuptim të mirëfilltë. Vetëm me vendime po komunikohet”, deklaroi ai.

Sa i përket përpjekjeve të reja për të arritur marrëveshje në lidhje me targat në Bruksel, Arifi tha se janë tërësisht të pakuptimta.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës po punon pa plan, pasi siç tha, dëmet nga vendimi për targat veçse janë bërë dhe nuk mund të rikuperohen brenda një kohe të shkurtër.

“Është e pakuptimtë të arrihet në Bruksel marrëveshje në lidhje me targat. Qeveria me të vërtetë po punon pa asnjë plan dhe po dalin të padijshëm. Është dashur vendimi të shtyhet e jo tani të negociohet për t’u shtyrë duke ditur se pasojat veçse kanë ndodhur. Është vendim i palogjikshëm që kanë shkuar në Bruksel për të biseduar për targat. Dëmet veçse janë bërë pasi serbët janë larguar nga institucionet. Duhet të zgjidhen shumë probleme tjera që të ndryshohet situata në terren”.

Edhe nëse arrihet një marrëveshje mes palëve, Arifi tha se ajo do të jetë në dëm të Kosovës dhe do të ndikojë negativisht në mbajtjen e zgjedhjeve.

“Është vështirë të shoh se do të ketë marrëveshje. Edhe nëse arrihet një e tillë do të jetë në dëm të Kosovës e kjo do të ndikojë negativisht në mbajtjen e zgjedhjeve. Ato ligjërisht do të organizohen, por që do të kenë sukses dyshoj shumë”, u shpreh tutje ai.

Por, ndryshe mendon Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Ai në një përgjigje me shkrim për Telegrafin tha se pret që në Bruksel të gjendet ‘gjuhë e përbashkët’ sa i përket targave, në mënyrë që të ulen tensionet në terren.

“Nëse e shohim momentumin dhe situatën në terren, pres që të kemi një zgjidhje për targat, por nuk jam i sigurt nëse mund të jetë një marrëveshje në kuptimin e plotë të fjalës që derivon nga marrëveshjet e kaluara të Brukselit dhe që do ta përmbyllte çështjen e targave. Sidoqoftë, pres një zgjidhje për targat nga BE-ja dhe nga palët që do të shërbente për uljen e tensioneve në terren”.

“Nuk dua të paragjykoj, por nëse nuk ka marrëveshje situata nuk do të shkojë drejt përmirësimit, rrjedhimisht potenciali për eskalime mbetet ende i lartë dhe potenciali për destabilizim nga Beogradi mbetet i pranishëm”, deklaroi ai.

Sa i përket zgjedhjeve, Fetahu tha se çdo përshkallëzim i situatës ndikon në mbarëvajtjen e tyre. Por, shtoi se institucionet e vendit duhet t’i marrin të gjitha hapat e nevojshëm për sigurimin e zgjedhjeve të lira, të drejta, demokratike dhe të sigurta.

Ndryshe, Bashkimi Evropian ka ripërsëritur thirrjen që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje për situatën aktuale.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se situata aktuale në veri të Kosovës është më e rënda që nga viti 2013, derisa ka shtuar se janë të gatshëm të presin në një takim në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se BE-ja dje ka qenë shumë e qartë pas takimit të Këshillit të Ministrave, ne presim të ketë progres në dialog dhe de-përshkëllzim të situatës… Ne jemi të gatshëm t’i mirëpresim të dy, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq në Bruksel për një takim të nivelit të lartë sa më shpejtë që ata do të jenë të gatshëm të tregojnë një sjellje evropiane në gjetjen e një zgjidhje evropiane për problemet mes tyre”, ka thënë Stano. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it

Siguri
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar

Kronika e Zezë
Kalo në kategori