eksperti ad

Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Milani ka arritur tashmë një marrëveshje paraprake për kushtet personale me mbrojtësin qendror 22-vjeçar të Benficës, Antonio Silva. Ashtu si Gonçalo Ramos, edhe ai përfaqësohet nga super-agjenti portugez Jorge Mendes.

Pas një muaji pasigurie që pas përfundimit të sezonit zhgënjyes 2025/26, gjatë të cilit klubi mbeti përkohësisht pa trajner, drejtor sportiv, drejtor teknik dhe drejtor ekzekutiv, afati kalimtar i Milanit ka marrë hov të madh këtë javë.


‘Rossonerët’ kanë arritur një marrëveshje rekord në historinë e klubit për transferimin e sulmuesit portugez Gonçalo Ramos, një operacion që sipas Fabrizio Romanos mund të arrijë në 74 milionë euro, pa përfshirë bonuset.

Ka pasur spekulime se Milani, tashmë i drejtuar nga trajneri portugez Ruben Amorim, mund të transferojë edhe futbollistë të tjerë që menaxhohen nga Jorge Mendes.

Mes emrave të përfolur janë mbrojtësi i Benficës Antonio Silva, mesfushori i Barcelonës, Marc Casado dhe anësori i Sporting Lisbonës, Francisco Trincao.

Sipas gazetarit Nicolo Schira, Milani ka arritur një marrëveshje në parim me Antonio Silvën për kushtet personale. Mbrojtësi është i gatshëm të firmosë një kontratë pesëvjeçare me kuqezinjtë, e vlefshme deri në verën e vitit 2031.

Raportimet e së dielës shtojnë se bisedimet mes Milanit dhe Benficës janë në vazhdim, ndërsa klubi italian është gati të paraqesë ofertën zyrtare.

Ndërkohë, sipas Gazzetta dello Sport, Benfica kërkon rreth 20 milionë euro për kartonin e Antonio Silvës.

Për 22-vjeçarin interesohen gjithashtu një klub nga Arabia Saudite dhe dy skuadra nga Liga Premier./Telegrafi/

telegrafi sport app