DokuFest nisi edicionin e tij të radhës mbrëmë (e premte) me tematikën “How to Survive…?”, e cila përqendrohet rreth nocionit të mbijetesës dhe që për herë të parë vjen në formën e një pyetjeje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur DokuFestin si ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovës.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti tha se DokuFest është mënyra më efektive për t’ia rrëfyer botës krijimtarinë dhe potencialin tonë artistik, zellin e talentin rinor.

Foto: DokuFest/Facebook

Tutje Kurti tha se si adhurues i kinemasë dhe i qytetit të Prizrenit, natyrshëm kam qenë pjesëmarrës i rregullt i edicioneve të festivalit.

Më poshtë postimi i plotë i Albin Kurtit:

DokuMagjia!

DokuFest është ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë. Më shumë se vetëm ngjarje, DokuFest është institucion i rëndësishëm i krijimtarisë dhe edukimit artistik. Ndonëse ka hyrë në dekadën e tretë të ekzistencës, festivali asnjëherë nuk e humbi magjinë e vet. Përkundrazi, edhe ky edicion që nisi mbrëmë, premton një javë plot shkëlqim mbi gurët e monumenteve të Prizrenit.

DokuFest është mënyra më efektive për t’ia rrëfyer botës krijimtarinë dhe potencialin tonë artistik, zellin e talentin rinor. Ai është edhe ekonomi për qytetin, edhe vullnetarizëm për rininë, edhe rrjetëzim për artistin, edhe kulturë për turistin. Si adhurues i kinemasë dhe i qytetit të Prizrenit, natyrshëm kam qenë pjesëmarrës i rregullt i edicioneve të festivalit. Tash me përgjegjësi shtesë, në krye të Qeverisë që po e realizon reformën më të madhe kulturore ndonjëherë në vend, që DokuFest dhe pjesa tjetër e skenës së pavarur kulturore të gëzojnë mbështetje të rritur dhe partneritet strategjik për nevojat zhvillimore dhe diplomatike të shtetit tonë.

Edicioni XXI është mundësi e mirë dhe arsye e fuqishme për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për ata që patën guxim në fillim. Dhe pastaj edhe vizion, durim e përkushtim. Faleminderit Veton, Aliriza, Samir, Eroll B, Linda, Nita, Eroll Sh, Alba, Jeton, Orhan, Burim, Dafina, Ares dhe plot të tjerë deri te mijëra vullnetarë përgjatë viteve e dekadave. Filmat, mbrëmjet e muzikës, punëtoritë, ngjarjet e tjera, një program fantastik sivjet. Gjatë këtyre tetë ditëve, do të më shihni sërish në Prizren.
Magjia rifilloi.

/Telegrafi/