Eurodeputeti austriak Thomas Waitz, nga grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, i ka drejtuar Komisionit Evropian pyetje me shkrim lidhur me planet dhe diskutimet për ndërtimin e infrastrukturës së re të gazit fosil në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përfshirë Kosovën.

pyetjet e dorëzuara ditë më parë, Waitz thekson se Kosova ka miratuar Strategjinë e Energjisë, është në përfundim të Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën (NECP), po zbaton obligimet që rrjedhin nga Ligji për Klimën dhe po përgatit kontributin e saj vullnetar për klimën.


Megjithatë, ai vëren se së fundi janë intensifikuar diskutimet politike për zhvillimin e infrastrukturës së gazit fosil, ndonëse Kosova aktualisht nuk ka treg të gazit, rrjet shpërndarës, kapacitete magazinimi apo një bazë të identifikuar të kërkesës për gaz.

Përmes tri pyetjeve drejtuar Komisionit Evropian, Waitz kërkon të dijë se si Komisioni i vlerëson propozimet për ndërtimin e infrastrukturës së re të gazit fosil në vendet kandidate që nuk kanë infrastrukturë ekzistuese të gazit, në përputhje me objektivat e Agjendës së Gjelbër, detyrimet ndaj Komunitetit të Energjisë dhe procesin e hartimit të NECP-së.

Ai gjithashtu pyet nëse investimet e mundshme në energji nga vende të treta dhe partnerë ndërkombëtarë duhet të jenë në përputhje me strategjitë kombëtare të energjisë të miratuara nga vendet kandidate dhe me rrethanat reale në terren, në mënyrë që të sigurohet koherenca me tranzicionin energjetik të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Në fund, eurodeputeti kërkon të dijë se si Komisioni Evropian planifikon të mbështesë debatin publik të bazuar në fakte dhe planifikimin strategjik në vendet e zgjerimit, në një kohë kur diskutimet për gazin fosil po ndikojnë gjithnjë e më shumë në debatin politik, pavarësisht objektivave afatgjata për dekarbonizim, zgjerimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, rritjen e efikasitetit energjetik dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë./RTK