Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar një takim të përbashkët me liderët e partive të ish-opozitës.

KosovaPress ka mësuar se Kurti sërish u ka kërkuar takim krerëve të partive opozitare për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.


Ndryshe nga ftesat e kaluara, KosovaPress ka mësuar se Kurti kësaj radhe ka kërkuar një takim të përbashkët me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, të PDK-së, Bedri Hamzën dhe të Aleancës, Ardian Gjinin.

Kurti deri tani ka zhvilluar tri takime me liderin e LDK-së, si dhe një takim me kryetarin e PDK-së, por asnjëra prej tyre nuk ka rezultuar me sukses.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, vazhdimisht ka refuzuar të takohet me Kurtin.

Vazhdimi i seancës konstituive është ndërprerë të shtunën me kërkesë të kreut të LVV-së, Albin Kurti, pas përshkallëzimit të situatës në sallë, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18, ndërsa Aleanca 7 deputetë.