Legjenda e Spanjës befason: Lë jashtë Messin dhe zgjedh argjentinasin më të mirë në botë


Një legjendë e Spanjës ka lënë jashtë Lionel Messin kur ka zgjedhur futbollistin aktual të Argjentinës që sipas tij është “më i miri në botë”, duke bërë një deklaratë interesante para një finaleje të mundshme të Kupës së Botës mes “Furisë së Kuqe” dhe kampionëve në fuqi.
Spanja zhvilloi një paraqitje fantastike ndaj Francës në fitoren 2-0 në gjysmëfinale kundër favoritëve të turneut. Edhe pse golat u shënuan nga Mikel Oyarzabal dhe Pedro Porro, paraqitja e Rodrit ka bërë që shumë njerëz ta konsiderojnë sërish si kandidat serioz për ta fituar Topin e Artë.
Për më tepër, skuadra e Luis de la Fuente ka pranuar vetëm një gol gjatë këtij Botërori, duke u shndërruar në favoritët e rinj për triumfin final.
Spanja do të përballet të dielën në mbrëmje në stadiumin "MetLife" në New Jersey me fituesin e gjysmëfinales Argjentinë–Angli. Nëse Argjentina arrin të vazhdojë mbrojtjen e titullit, shumica do të konsideronin Lionel Messin, futbollistin me paraqitjet më të mira sipas statistikave në këtë Kupë të Botës, si lojtarin kryesor që Spanja duhet ta ndalojë.

Megjithatë, Fernando Torres mendon ndryshe.
Pas paraqitjes së Julian Alvarezit me dy gola ndaj Real Madridit në fitoren e derbit të La Ligës në shtatorin e kaluar, ish-sulmuesi i Liverpoolit dhe Atletico Madridit i dha atij vlerësimet më të larta.
Duke folur për cilësitë e sulmuesit argjentinas, sipas Daily Mail, Torres deklaroi se Alvarez është lojtari më i mirë në botë.

"Për mua, Julian Alvarez është lojtari më i mirë në botë, pa asnjë dyshim. Nuk ka shumë më tepër për të thënë”.
Të tjerë mund të argumentojnë se lojtarë si Lionel Messi, Kylian Mbappe apo Lamine Yamal janë më të mirë.
Megjithatë, kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e Alvarezit, i cili shpesh nënvlerësohet, por është një futbollist thelbësor si për klubin ashtu edhe për kombëtaren./Telegrafi/











































