Rodri, rikthimi i fituesit të Topit të Artë


Një performancë historike nga mesfushori spanjoll kundër Francës, në një ndeshje dhe Kupë Bote që do të mbahen mend gjatë.
Rodri i mori të gjitha kritikat pas paraqitjes ndaj Kepit të Gjelbër. Disa madje kërkonin që Luis de la Fuente të aktivizonte Martín Zubimendin në vend të tij. Por përzgjedhësi i Spanjës kishte një plan të qartë dhe besonte te lojtari i tij.
Madje, De la Fuente u acarua kur u pyet për formën e Rodrit pas ndeshjes së parë të turneut.
“E gjej fyese të thuhet kjo për lojtarin më të mirë në botë. Ai është më i miri, edhe nëse luan vetëm me 50 për qind të kapacitetit të tij”, kishte deklaruar trajneri spanjoll.
Dhe në fund, De la Fuente rezultoi se kishte të drejtë. Ai e dinte se Rodri kishte nevojë për minuta, ritëm dhe besim për të rikthyer versionin e tij më të mirë – atë që e kishte bërë fitues të Topit të Artë.
Trajneri ia dha kohën që i duhej dhe mesfushori i Manchester Cityt u përmirësua ndeshje pas ndeshjeje, duke kulmuar me një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Francës, një performancë që i ngjau më shumë një lojtari që meriton sërish skenën më të madhe individuale të futbollit.

Statistikat e një rekordi historik
Paraqitjet e Rodrit në këtë Kupë Bote kanë prodhuar shifra që hyjnë në librat e historisë. Mesfushori spanjoll ka kompletuar 655 pasime me një saktësi prej 93 për qind, numri më i lartë i pasimeve të sakta nga një lojtar në një turne të vetëm të Kupës së Botës që nga viti 1966 – dhe ende ka një ndeshje për të luajtur.
Për ta vendosur në perspektivë këtë arritje, Sergio Busquets kishte realizuar 530 pasime gjatë shtatë ndeshjeve të Kupës së Botës në Afrikën e Jugut në vitin 2010.
Por ndikimi i Rodrit nuk matet vetëm me statistika.

Dominimi ndaj Francës
Sfida kundër Francës ishte një betejë e vërtetë në mesfushë. Rodri u përball vazhdimisht me lojtarë të elitës si Aurélien Tchouaméni, Adrien Rabiot dhe Manu Kone, ndërsa duhej të neutralizonte edhe rrezikun që vinte nga një futbollist i klasit botëror si Michael Olise, një kërcënim i vazhdueshëm në zonën ofensive të francezëve.
Por Rodri dhe shokët e tij të skuadrës e kontrolluan çdo centimetër të fushës, nga minuta e parë deri në minutën e 97-të.
Mesfushori spanjoll përshkoi 12.628 kilometra gjatë gjysmëfinales, realizoi vrapime me intensitet të lartë dhe fitoi 11 duele – më shumë se të gjithë lojtarët francezë të marrë së bashku.

Dhe të gjitha këto i bëri duke ruajtur një saktësi të jashtëzakonshme në shpërndarjen e topit.
Ai ishte kudo. Ndihmonte mbrojtësit e krahut, krijonte dalje nga presioni i kundërshtarit dhe i jepte Spanjës qetësinë për të ndërtuar aksionet.
I dëshpëruar nga dominimi spanjoll, Didier Deschamps provoi të ndryshonte rrjedhën e lojës duke futur në fushë Rayan Cherkin, me shpresën se do të destabilizonte mesfushën e Spanjës. Por edhe ai shumë shpejt e kuptoi se përballë kishte një kundërshtar që kontrollonte gjithçka.
The pass master. 🎓
Rodri has completed more passes at the 2026 World Cup than any other player has a single tournament on record.
◎ 705 attempted
◉ 655 completed
◎ 92.91% pass accuracy
The Spaniard has also completed more final third passes than any other player at the… pic.twitter.com/criWCLSSK3
— Squawka (@Squawka) July 15, 2026
Një maestro që kontrollon ritmin
Ajo që nisi si një dominim i plotë i Spanjës përfundoi me një pjesë të dytë ku skuadra e De la Fuentes zhvilloi një “rondo” të pafund me topin, nën duartrokitjet dhe thirrjet “olé” të tifozëve që iu dorëzuan spektaklit spanjoll.
Në qendër të gjithçkaje ishte Rodri. “Ky është një fitues i Topit të Artë, mos e harroni këtë. Nuk është normale për një lojtar që luan në atë pozicion. Ai është një futbollist i klasit botëror”, deklaroi Zlatan Ibrahimovic pas ndeshjes.
Edhe Thierry Henry mbeti i mahnitur nga paraqitja e mesfushorit spanjoll.
“Shikojeni… ky është lojtari që bën diferencën. Ai kontrollon ritmin e lojës. Kur ai prek topin, Spanja merr frymë, Spanja luan. Ai është spiranca, ai është truri. Ai e fiton topin, e shpërndan dhe u lejon sulmuesve të bëjnë punën e tyre. Në golin e dytë shihet ndikimi i tij: mënyra si merr topin, pasimi që jep dhe pozicioni që zë. Franca nuk arrin ta rikuperojë topin. Ata dominohen në mesfushë falë tij. Rodri është, për mua, një nga lojtarët më të mirë në botë në këtë pozicion”, tha Henry.

Rikthimi në garën për Topin e Artë
Rikthimi i Rodrit në nivelet më të larta e ka vendosur sërish në qendër të vëmendjes së botës së futbollit. Edhe kompanitë e basteve kanë filluar ta shohin spanjollin si një kandidat serioz për "Topin e Artë".
Pas paraqitjeve në Kupën e Botës, ai ka kaluar Lamine Yamal dhe aktualisht renditet pas Lionel Messit dhe Jude Bellinghamit në listën e favoritëve.
Por njëri prej këtyre rivalëve do të eliminohet pas gjysmëfinales së radhës. Finalja e së dielës mund të vendosë jo vetëm se kush do të ngrejë trofeun e Kupës së Botës, por edhe se kush do të jetë lojtari që do të kurorëzohet me çmimin më prestigjioz individual në futboll.
𝗥𝗢𝗗𝗥𝗜 𝗜𝗦 𝗢𝗡𝗘 𝗚𝗔𝗠𝗘 𝗔𝗪𝗔𝗬 𝗙𝗥𝗢𝗠 𝗖𝗢𝗠𝗣𝗟𝗘𝗧𝗜𝗡𝗚 𝗙𝗢𝗢𝗧𝗕𝗔𝗟𝗟 👀⏳
Only 10 players have ever completed the iconic trilogy of winning the Ballon d'Or, the World Cup, and the Champions League 😲
🇫🇷 Ousmane Dembélé
🇫🇷 Zinedine Zidane
🇦🇷 Lionel Messi
🏴… pic.twitter.com/QzVUNRSkm8
— 433 (@433) July 15, 2026
Dhe Rodri, pas një rikthimi spektakolar, është përsëri në mesin e favoritëve. /Telegrafi/











































