Boksieri shqiptar Dennis Buzukja, ka dhënë një mesazh të fuqishëm para paraqitjes së tij në eventin e UFC-së në Serbi, duke theksuar rëndësinë historike të këtij momenti dhe krenarinë për përfaqësimin e Shqipërisë.

Buzukja ka bërë të ditur se kjo do të jetë hera e parë që një event i UFC-së zhvillohet në Serbi, ndërsa ai do të jetë njëri prej sportistëve që do të mbajë flamurin shqiptar në këtë skenë të madhe.


Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai iu drejtua tifozëve shqiptarë dhe gjithë Ballkanit, duke kërkuar mbështetje dhe duke përcjellë mesazh uniteti e respekti sportiv.

“Beograd, ju përshëndes. Shqipëri dhe shqiptarë në mbarë botën, ju dua shumë. Nesër do të shkruaj histori dhe do të luftoj në Serbi për herë të parë, në eventin e parë të UFC-së që zhvillohet këtu, duke përfaqësuar Shqipërinë. Presioni është i madh, por gjithë lavdia i takon Mbretit të Mbretërve, Jezu Krishtit, dhe u bëftë vullneti i tij”.


Buzukja ka theksuar se është më i përgatitur se kurrë dhe premtoi se do të japë maksimumin për të dalë fitues.

“Jam më i gatshëm se kurrë dhe nesër do të jap gjithçka që kam për të fituar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Serbinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit. Nesër tregojmë unitet dhe sportivitet”, tha ai.

Paraqitja e Buzukjes në Beograd ka marrë vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së saj, teksa sportisti shqiptar do të synojë të lërë gjurmë në një nga skenat më të mëdha të sporteve luftarake./Telegrafi/

telegrafi sport app