Afati kalimtar i verës po i afrohet fundit, por disa prej klubeve më të mëdha të Ligës Premier janë ende në garë me kohën për të përmbyllur marrëveshje të rëndësishme para mbylljes së afatit.

Sipas BBC Sport, emra të mëdhenj si Julian Alvarez, Enzo Fernandez, Cody Gakpo dhe Ismaila Sarr mund të ndryshojnë skuadër në orët e fundit të merkatos.


Julian Alvarez drejt Barcelonës ose Arsenalit

E ardhmja e Julian Alvarez mbetet një nga çështjet më të nxehta të afatit kalimtar.

Sulmuesi i Atletico Madridit dëshiron të largohet, ndërsa klubi spanjoll nuk është i gatshëm ta shesë te Barcelona.

Megjithatë, Atletico është i hapur për një marrëveshje me Arsenalin, i cili prej kohësh e monitoron situatën e argjentinasit. Klubi madrilen kërkon rreth 150 milionë euro për kartonin e tij.

Enzo Fernandez drejt Manchester Cityt

E ardhmja e Enzo Fernandez te Chelsea është vënë në pikëpyetje, pasi mesfushori argjentinas është lidhur me një transferim të bujshëm te Manchester City.

Fernandez mungoi në fitoren e Chelseat ndaj Brightonit dhe situata e tij po ndiqet me vëmendje.

Manchester City ka humbur këtë verë disa mesfushorë të rëndësishëm, ndër ta Rodri, Bernardo Silva, Nico Gonzalez dhe Tijjani Reijnders, ndërsa Enzo Maresca e njeh mirë Fernandez nga koha kur punuan së bashku te Chelsea.

Lamine Camara te Chelsea

Një largim i mundshëm i Fernandez mund t'i hapë rrugë Chelseat për transferimin e Lamine Camara nga Monaco.

Mesfushori senegalez shihet si një alternativë për të mbushur boshllëkun e krijuar në repartin e mesfushës.

Chelsea pritet të jetë ndër klubet më aktive deri në fund të afatit kalimtar, me më shumë se 30 lojtarë që janë larguar ose mund të largohen këtë verë.

Në dyshim mbeten edhe të ardhmet e Mykhailo Mudryk, Pedro Neto dhe Tosin Adarabioyo, ndërsa edhe Dario Essugo, Deivid Washington dhe Shim Mheuka mund të largohen.

Cody Gakpo drejt Manchester Cityt ose Tottenhamit

Manchester City ka hapur bisedimet me Liverpoolin për transferimin e Cody Gakpos dhe, sipas BBC Sport, sulmuesi holandez është i hapur ndaj kësaj mundësie.

City është i gatshëm të ofrojë një paketë prej rreth 85 milionë paundësh, ndërsa Tottenham gjithashtu ka shfaqur interes.

Megjithatë, Liverpooli nuk dëshiron ta lejojë largimin e Gakpos pa siguruar më parë një tjetër përforcim në sulm, përveç Bradley Barcolas.

Ismaila Sarr drejt Liverpoolit

Nëse Gakpo largohet, Liverpooli ka kthyer vëmendjen te Ismaila Sarr i Crystal Palace.

Klubi anglez ka dështuar me dy oferta për Yankuba Minteh të Brightonit dhe tani po shqyrton mundësinë e transferimit të reprezentuesit senegalez.

Liverpooli kishte bërë një kërkesë fillestare për Sarr javën e kaluar, por ajo ishte refuzuar nga Crystal Palace.

Richarlison te Evertoni, Ndiaye te Tottenham

Tottenham dhe Everton po negociojnë një marrëveshje që mund të sjellë Iliman Ndiaye në Londër, ndërsa Richarlison do të bëjë rrugëtimin në drejtim të kundërt.

Marrëveshja për Ndiaye është kryesisht e dakorduar, por ende nuk është e sigurt nëse transferimi do të finalizohet, pasi interesim për senegalezin ka shfaqur edhe Manchester City.

Ndërkohë, Evertoni ka arritur marrëveshje në parim për rikthimin e Richarlisonit, pasi sulmuesi brazilian ka shprehur vazhdimisht dëshirën për t'u larguar nga Tottenham.

Jack Grealish drejt Evertonit

Evertoni është gjithnjë e më optimist për të rikthyer Jack Grealish në formë huazimi nga Manchester City.

Detajet e marrëveshjes mbeten ende të komplikuara, veçanërisht pasi reprezentuesi anglez ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me klubin nga Mançesteri.

Grealish e ka prioritet rikthimin te Evertoni, ku ishte i huazuar sezonin e kaluar, përpara mundësisë së rikthimit te Aston Villa, klubi ku u rrit.

Matias Fernandez-Pardo drejt Newcastle

Newcastle vazhdon të interesohet për sulmuesin e Lille, Matias Fernandez-Pardo.

21-vjeçari vlerësohet për kreativitetin dhe aftësinë për të luajtur në disa pozicione në repartin ofensiv, ndërsa profili i tij përputhet me politikën e Newcastle për të afruar lojtarë të rinj me potencial.

Marrëveshja nuk do të jetë e lehtë për t'u realizuar në ditët e fundit të afatit kalimtar.

Megjithatë, fakti që trajneri i Lille, Davide Ancelotti, e la Fernandez-Pardon jashtë skuadrës për ndeshjen ndaj Paris Saint-Germain dhe e ka përjashtuar nga stërvitjet deri në mbylljen e afatit kalimtar, ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm.

Joshua Zirkzee drejt Fiorentinës

Manchester United mund ta mbyllë afatin kalimtar duke u fokusuar te e ardhmja e Joshua Zirkzee.

Fiorentina është e interesuar për sulmuesin holandez dhe kërkon ta marrë në huazim me opsion blerjeje.

United, nga ana tjetër, do të preferonte një shitje të përhershme ose të paktën një marrëveshje huazimi me detyrim blerjeje.

Largimi i Zirkzee mund t'i hapë Manchester Unitedit mundësinë për të afruar një mbrojtës të majtë ose një tjetër përforcim në repartin ofensiv, fillimisht edhe në formën e huazimit. /Telegrafi/

telegrafi sport app