Vendi i lindjes dhe kombësia luajnë rol se sa hapësirë banimi ka një njeri në dispozicion në Zvicër.

Ndërsa zviceranët dhe të huajt me kualifikim shumë të lartë gëzojnë sipërfaqe të mëdha banimi, emigrantët nga Ballkani - e veçanërisht shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut - jetojnë në ambiente dukshëm më të ngushta, njofton gazeta “Blick”.


Sipas të dhënave zyrtare, të analizuara në bashkëpunim me sociologun Ganga Jey Aratnam, shtetasit nga Maqedonia e Veriut kanë mesatarisht vetëm 25.1 metra katrorë për person, ndërsa ata nga Kosova po ashtu renditen në fund të listës me hapësirën më të vogël.

Në anën tjetër, zviceranët gëzojnë mesatarisht 50.3 metra katrorë për person - plot dyfishin e hapësirës së banorëve me origjinë nga Ballkani.

Sipas ekspertëve, ky hendek i madh lidhet me disa faktorë kryesorë socio-ekonomikë dhe kulturorë.

Nga njëra anë, qiratë e larta në Zvicër bëjnë që shumë familje nga Ballkani, të cilat punojnë në sektorë me rroga më të ulëta, të mos kenë mundësi financiare për të përballuar banesa më të mëdha.

Nga ana tjetër, sociologu Jey Aratnam veçon edhe ndikimin kulturor që ekziston te familjet kosovare. Ndërsa të rinjtë zviceranë largohen herët nga shtëpia e prindërve për të jetuar vetëm, te familjet shqiptare është ende e zakonshme që disa breza ose më shumë anëtarë të jetojnë nën një kulm.

Kjo sjell automatikisht më pak metra katrorë për secilin person dhe më pak privatësi.

Përveç dallimeve kulturore e financiare, zviceranët përfitojnë edhe nga lidhjet më të mira sociale, që u mundësojnë të gjejnë më lehtë e më lirë banesa të mëdha, veçanërisht përmes kooperativave të banimit në qytetet e mëdha (Genossenschaften). /Telegrafi/