Qirinj për kriminelin e luftës, vdekja e Mlladiqit shpërfaq krizën morale të Serbisë

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” përshkruan reagimet në Serbi pas vdekjes së kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.
Sipas një analize të publikuar nga gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), zhvillimet dhe debati në Serbi pas vdekjes së kriminelit serb të luftës, Ratko Mlladiq, shtrojnë pyetjen se çfarë ka ndryshuar realisht në këtë shtet ballkanik gjatë tri dekadave të fundit.
Gazeta FAZ rikujton se në fillim të viteve të nëntëdhjeta, shumica e serbëve mbështetën politikën pushtuese serbomadhe të autokratit Slobodan Millosheviq, i cili nxiti tri lufta dhe vdiq në vitin 2006 nga një infarkt në qelinë e Tribunalit të OKB-së në Hagë, ndërsa vetëm një pakicë e vogël doli kundër kësaj politike.
Më tej, gazeta gjermane FAZ vë në dukje se njëzet vjet pas vdekjes së Millosheviqit, tashmë ka ndërruar jetë edhe ekzekutuesi më i egër i politikës së tij. Ish-gjenerali serb Ratko Mlladiq u dënua në vitin 2017 nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, rrethimin e Sarajevës, marrjen peng të helmetkaltërve të OKB-së dhe krime të tjera të shumta. Megjithatë, siç nënvizon FAZ, deklaratat e udhëheqësve serbë krijojnë përshtypjen se për ta kriminelët nuk janë Millosheviqi apo Mlladiqi, por vetë gjyqtarët e Tribunalit të Hagës.
Në artikull, gazeta FAZ citon Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se Haga donte që Mlladiqi të vdiste prapa grilave dhe nuk e lejoi të vdiste në Serbi ku ai dëshironte, duke e quajtur këtë "sjellje anticivilizuese e pa precedent".
Po ashtu, FAZ vëren se Vuçiq përdori një shprehje popullore sipas së cilës "për të vdekurit thuhen vetëm fjalë të mira", pa dashur të kuptojë se një dënim me burgim të përjetshëm do të thotë pikërisht përfundim i jetës në burg.
Gazeta FAZ sjell në vëmendje edhe reagimet nga Republika Srpska në Bosnjë.Hercegovinë, ku politikani Milorad Dodik mori pjesë në një meshë përkujtimore kishtare dhe ndezi qirinj për Mlladiqin. Po ashtu, udhëheqësja e opozitës së atjeshme, Jellena Triviq, deklaroi se serbët e Bosnjës i detyrohen Mlladiqit për lirinë e tyre dhe se pas vdekjes ai qëndron "krah për krah me figurat e tjera të mëdha të historisë serbe", shkruan FAZ.
Lidhur me mediat pranë pushtetit në Serbi, gazeta gjermane FAZ raporton se ato pretenduan se Mlladiq u "vra" nga Tribunali i OKB-së, të cilin e quajtën "organizatë terroriste".
Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Aleksandar Vullin kërkoi ditë zie kombëtare, kurse udhëheqësit e partisë në pushtet kritikuan qeveritë e kaluara që e kishin ekstraduar atë në Hagë. FAZ shton se kjo retorikë u mbështet hapur edhe nga Ambasada e Rusisë në Beograd, e cila i shprehu ngushëllime zyrtare familjes së Mlladiqit.
Megjithatë, siç shkruan gazeta FAZ, në Serbi pati edhe zëra kundërshtues, si ai i ish-politikanit opozitar Vuk Drashkoviq, i cili e quajti lavdërimin e Mlladiqit një "glorifikim të turpshëm e të pafalshëm të krimeve" dhe paralajmëroi se Serbia ndodhet përballë një humnere morale.
FAZ citon Drashkoviqin të ketë thënë se një varrim me nderime shtetërore për Mlladiqin do të ishte varrosje e vetë bazave morale e juridike të Serbisë së sotme.
Në vazhdim të shkrimit, gazeta FAZ përmend reagimin e organizatës "Gratë në të Zeza", e cila kritikoi se në Serbi jo vetëm që mohohet gjenocidi, por kryerësit e tij festohen si heronj. Sipas kësaj organizate, kjo tregon se shteti serb nuk dëshiron të ndjekë rrugën e integrimit evropian dhe se vendimet e gjykatave kundër Mlladiqit duhet të bëhen pjesë e kurrikulës shkollore në Serbi.
Në fund të analizës, gazeta FAZ sjell përmend edhe qëndrimin e kryetares së Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila i cilësoi reagimet e elitave serbe si "mjaft shqetësuese".
Biserko theksoi se Serbia kurrë nuk është përballur me humbjen e politikës së viteve '90 dhe se një pjesë e madhe e shoqërisë serbe vazhdon t'i paraqesë ato lufta si padrejtësi ndaj serbëve, ndërsa kriminelët si luftëtarë për liri - një ideologji kjo që mbetet e rrënjosur thellë edhe te brezi i ri. /Telegrafi/







































