Diaspora kosovare vazhdon të mbajë lidhje të forta me vendin e origjinës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e saj shpreh gatishmëri për t’u kthyer në Kosovë. Megjithatë, për shumicën, kthimi i përhershëm duket të jetë më shumë një plan për të ardhmen sesa një vendim që pritet të realizohet së shpejti.

Të dhënat dalin nga një pyetësor i realizuar nga Telegrafi, ku 52.25 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se planifikojnë të kthehen në Kosovë.

Nga kjo përqindje, vetëm 6.73 për qind thonë se synojnë të kthehen brenda vitit të ardhshëm, ndërsa 45.52 për qind e shohin kthimin në një periudhë më të largët.


Në anën tjetër, gatishmëria për të investuar në Kosovë rezulton edhe më e lartë.

65.92 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se planifikojnë të investojnë në Kosovë. Investimet e planifikuara lidhen kryesisht me blerjen apo ndërtimin e shtëpive, banesave dhe tokës, por edhe me hapjen ose zhvillimin e bizneseve dhe investimet në bujqësi.

Gërxhaliu: Institucionet duhet të bëjnë më shumë për diasporën

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, e konsideron të rëndësishme gatishmërinë e diasporës për të investuar në Kosovë, duke thënë se institucionet duhet të krijojnë kushte më të favorshme për tërheqjen e këtyre investimeve.

“Analizat e fundit theksojnë bindshëm që më tepër se 65 për qind të diasporës në një anketë janë të gatshëm të investojnë në Kosovë. Sot diaspora kosovare vetëm në hapësirën gjermanofolëse: Zvicër, Gjermani, Austri - posedon në llogaritë bankare miliarda të shumta dhe është mençuri dhe pjekuri e institucioneve kosovare të bëjnë më tepër për të josh diasporën, për të investuar në metoda dhe teknologji më të avancuara”, tha Gërxhaliu për Telegrafin.

Sipas tij, potenciali financiar i diasporës përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Gollopeni: Nuk ka emigrant kosovar që nuk e ka në ëndërr kthimin

Sociologu, Besim Gollopeni, thotë se dëshira për kthim ekziston te mërgimtarët, por mes dëshirës dhe realizimit të saj ekzistojnë një sërë faktorësh socialë, ekonomikë dhe politikë.

“Është një sinjal pozitiv, mbi të gjitha, por natyrisht që duhet shikuar edhe në një aspekt tjetër si paradoks për faktin se pse, nëse më shumë se gjysma, e planifikojnë kthimin në Kosovë pas një periudhe të caktuar ose dëshirojnë më mirë të themi m'u kthy shtrohet pyetja në anën tjetër se sa vërtet kjo dëshirë mund të bëhet realitet në fakt? Në fakt përkthehet në kthimin real në Kosovë”, tha ai për Telegrafin.

Gollopeni thotë se kushtet në Kosovë, por edhe jeta që emigrantët kanë ndërtuar jashtë vendit, ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin për kthim.

“Gjendja sociale, ekonomike dhe politike në vendin në të cilin e kemi ne natyrisht që kjo pastaj bën të ndikohet negativisht në kthimin e emigrantëve, por në njërën anë, për në anën tjetër i kemi imigrantët, të cilët kanë krijuar rrethin e tyre sociale e familjar, punën janë integruar në shoqëri pritëse dhe natyrisht që kjo e bën akoma më të vështirë kthimin e këtyre emigrantëve në Kosovë”, shton më tej sociologu.

Megjithatë, sipas tij, lidhja emocionale me vendin mbetet e fortë.

“Nuk ka emigrant kosovar që jeton sot jashtë Kosovës, që nuk e ka në mendje dhe nuk e ka në ëndërr të kthehet një ditë në Kosovë”, deklaron Gollopeni.

Por kjo dëshirë, sipas Gollopenit, bëhet më e vështirë për t’u realizuar me kalimin e viteve.

“Mirëpo duhet të jemi real dhe të themi që, sa më shumë që kalojnë vitet, kthimi i emigrantëve do të bëhet më i vështirë për shkak të integrimit të tyre në shoqëritë pritëse”, ka përfunduar sociologu dhe profesori universitar.

Krasniqi: Diaspora nuk duhet trajtuar njësoj si investitorët e huaj

Lirim Krasniqi nga Organizata “Germin” thotë për Telegrafin se ideja e kthimit ka qenë historikisht pjesë e lidhjes së diasporës me Kosovën.

“Një pjesë e madhe e bashkatëdhetarëve të gjeneratës së parë, pra ata të cilët do të kanë emigruar vetë, e kanë pasë edhe idenë e kthimit. Ideja e kthimit është ajo faktikisht që edhe e definon diasporën”, tha Krasniqi.

Sipas tij, nuk është befasuese që një përqindje relativisht e ulët e të anketuarve e shohin kthimin si diçka që mund ta realizojnë në një periudhë të shkurtër.

“Ne nuk duhet të jemi të çuditur me përqindjen e ulët të personave që shprehin se do ta realizojnë kthimin brenda një periudhe shumë të shkurtër, për shkak se ajo nënkupton më një mori faktor”, deklaron njohësi i çështje të diasporës.

Krasniqi ka veçuar funksionimin e institucioneve dhe sigurinë juridike si disa prej faktorëve që ndikojnë në gatishmërinë e diasporës për të investuar.

“Efikasiteti i administratës publike është një prej faktorëve shumë të rëndësishëm. Sundimi i rendit dhe ligjit, gjithashtu është një faktor shumë i rëndësishëm dhe në këtë drejtim çka është me rëndësi me e përmendësh që mbi 60 për qind e bashkatdhetarët kanë thënë që do të ishin gatshëm të investojnë në Kosovë edhe me kushtin që nuk do të fitonin brenda një periudhe të caktuar kohor, por me sigurinë juridike dhe sigurinë e përgjithshme të investimit të tyre”, bën të ditur ai.

Ai ka kritikuar qasjen institucionale ndaj investitorëve nga diaspora, duke thënë se ata nuk duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si investitorët e huaj.

“Ne e dimë që investitorët e diasporës trajtohen sipas ligjit njësoj sikurse investitorët e huaj. Ndërkohë që një investitor ose një biznes nga diaspora, Kosovën e trajton me një qasje preferenciale, ai ose ajo nuk vjen në Kosovë, sepse Kosova është vendi më i mirë për të bërë biznes në gjithë Evropën edhe rajonin, por vjen sepse ka një lloj preference që lidhet me lidhjet familjare, emocionale, shoqërore e kështu me radhë dhe përderisa diaspora ka një qasje preferenciale karshi Kosovës, Kosova nuk ka një qasje preferenciale karshi diasporës i trajton ata njësoj sikurse çdo investitor tjetër i huaj”, shton më tej Krasniqi.

Investimi më i afërt se kthimi

Të dhënat e pyetësorit të Telegrafit tregojnë një dallim të dukshëm mes dëshirës për t’u kthyer dhe gatishmërisë për të investuar.

Ndërsa 52.25 për qind e të anketuarve planifikojnë kthimin në Kosovë, përqindja e atyre që synojnë të investojnë është dukshëm më e lartë, me 65.92 për qind.

Kjo tregon se lidhja me Kosovën vazhdon të jetë e pranishme, por kthimi i përhershëm duket se përballet me më shumë pengesa sesa angazhimi ekonomik në vend.

Për ekspertët, faktorët ekonomikë, institucionalë, socialë dhe integrimi i mërgimtarëve në vendet ku jetojnë janë ndër elementet që mund të përcaktojnë nëse dëshira për kthim do të shndërrohet edhe në një vendim konkret.

Në ndërkohë, gatishmëria e një pjese të madhe të diasporës për të investuar në Kosovë mbetet një potencial i rëndësishëm ekonomik për vendin. /Telegrafi/