Finalja e Ligës së Kampionëve në Budapest tërhoqi vëmendjen e shumë emrave të njohur, me aktorin David Schwimmer dhe legjendën e futbollit David Beckham mes të pranishmëve në tribunë për të ndjekur përballjen mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germain.

Ylli i serialit “Friends”, David Schwimmer, i njohur si mbështetës i Arsenalit, u pa në shoqërinë e figurave të tjera të famshme, përfshirë Mick Jagger dhe David Beckham.


Atmosfera ishte elektrizuese, veçanërisht pasi skuadra londineze kaloi e para në avantazh, shkruan DailyMail.

Megjithatë, festa e tifozëve të Arsenalit nuk zgjati shumë. PSG riktheu baraspeshën dhe ndeshja përfundoi 1-1, duke u vendosur më pas nga penalltitë, ku francezët dolën fitues dhe ngritën trofeun evropian.

Mes të pranishmëve ishte edhe Romeo Beckham, i cili ndoqi finalen së bashku me partneren e tij, Kim Turnbull.

Ndryshe nga i ati, që ka një histori me PSG-në, Romeo njihet si tifoz i Arsenalit dhe e jetoi me emocion ndeshjen nga tribuna.

Përpara fillimit të sfidës, spektaklin e hapjes e dhuroi grupi The Killers, që performoi disa nga hitet e tij më të njohura para mijëra tifozëve të mbledhur në stadium. /Telegrafi/