Ministri për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë institucionalë të vendit.

Sipas agjendës zyrtare, në orën 10:00, Hoxha do të pritet në takim nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Kabinetin e Presidentes në Prishtinë.


Më pas, në orën 10:45, ministri shqiptar do të zhvillojë takim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në Ndërtesën e Qeverisë.

Vizita do të vazhdojë në orën 12:00 me takimin ndërmjet ministrit Hoxha dhe zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Pas takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dy homologët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ku pritet të flasin për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për çështje të interesit të përbashkët në politikën e jashtme. /Telegrafi/