Kanos kolegun me armë lodër dhe rrezikon trafikun, arrestohet një person në Prishtinë

Një person është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se ka kanosur kolegun e tij me armë dhe më pas ka rrezikuar pjesëmarrësit në trafik duke lëvizur me veturë në kahje të kundërt.
Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 15:40.
“Ankuesi mashkull ka njoftuar policinë se është kanosur me armë nga kolegu i tij. Arma (lodër), që dyshohet se është përdorur në rast, është sekuestruar”, thuhet në njoftim.
Pas incidentit, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me veturë, duke lëvizur në kahje të kundërt dhe duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti është iniciuar si “Kanosje” dhe “Rrezikim i trafikut publik”. /Telegrafi/








































