"Kam qenë e paralizuar", Soni Malaj rrëfen në 'Ferma VIP' periudhën e errët të jetës

Këngëtarja e njohur Soni Malaj ka prekur publikun në “Ferma VIP” me një rrëfim të sinqertë për një nga periudhat më të trishta dhe më të vështira të jetës së saj, duke u kthyer pas në fëmijërinë e hershme dhe në betejën e rëndë shëndetësore që i rrezikoi lëvizjen.
Soni tregoi se kur ishte në shkollën fillore, rreth moshës 7-8 vjeç, u përball me një krizë të fortë, që për të ishte e pashpjegueshme dhe tepër e dhimbshme.
“Ka qenë një reumatizëm i shkallës së lartë, arsyen se pse nuk e di,” u shpreh ajo, duke kujtuar se në atë kohë ndodhej në Tropojë dhe se dhimbjet ishin aq të mëdha sa nuk arrinte të bënte as hapin më të vogël.
Për shkak të gjendjes së rënduar, këngëtarja u kontrollua dhe u shtrua disa herë në spital. Pas kurave mjekësore, ajo nisi të ndiente një përmirësim të lehtë, por një veprim i gabuar solli rikthimin e menjëhershëm të problemit.
@fermavip.vizionplus "Kam qenë e paralizuar deri..."/ Soni tregon situatën e vështirë që i është dashur të përballej në fëmijëri
♬ original sound - fermavip.al
Gjatë një fundjave që familja kishte vendosur ta kalonte në Valbonë, asaj i sugjeruan t’i fuste këmbët në ujë të ftohtë. Sipas Sonit, ky veprim e përkeqësoi situatën dhe ajo u paralizua sërish menjëherë.
Edhe pse sot ajo thotë se nuk i mban mend të gjitha detajet se si arriti të shërohej plotësisht nga kjo sëmundje agresive, kujtimi më i fortë që i ka mbetur janë sakrificat e prindërve dhe të afërmve, të cilët nuk iu ndanë për asnjë moment.
Për shkak të pamundësisë për të ecur, ata detyroheshin ta mbanin në krahë “hopa” për çdo lëvizje – madje edhe për ta çuar te shoqet e klasës, që të mund të shkruante detyrat dhe të mësonte bashkë me to.
Rrëfimi i Sonit u prit me shumë emocion, duke treguar edhe një herë anën e saj më njerëzore dhe forcën që e ka shoqëruar që në fëmijëri. /Telegrafi/


















































