“Rrëmbimi” i futbollistëve nga grupmoshat e Kosovës te Kombëtarja e Shqipërisë është një temë që vazhdon prej më shumë se një dekade dhe duket se ende nuk ka përfunduar.

Shumë lojtarë që kanë veshur fanellën e Kosovës, qoftë te grupmoshat apo edhe te Kombëtarja A, më pas janë joshur për t’iu bashkuar Shqipërisë.


Një situatë e tillë po ndodh edhe në vitin 2026, ku në qendër të vëmendjes është sërish trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi.
Talenti i madh i Kosovës, Blerton Isufi, është parë në listën e Shqipërisë U21 për dy ndeshjet miqësore ndaj Sllovenisë U21 dhe Italisë U21, ndonëse më parë ka qenë i grumbulluar te Kosova U21.

Telegrafi ka mësuar prapaskenat e gjithë kësaj historie. Isufi, i cili aktivizohet te gjiganti norvegjez Molde, është kontaktuar nga skautë të FSHF-së në Skandinavi, por edhe nga vetë Alban Bushi.

Sipas burimeve të Telegrafit, ata kanë tentuar ta bindin mesfushorin ofensivë që t’i bashkohet Shqipërisë U21 dhe në fund e kanë përfshirë emrin e tij në listë, edhe pse lojtari nuk kishte dhënë asnjë konfirmim se do të pranonte ftesën.

Në një prononcim për Telegrafin, Isufi ka konfirmuar kontaktet me FSHF-në dhe Alban Bushin, por ka bërë të qartë se e ardhmja e tij është vetëm me Kosovën.

“Po, është e vërtetë që më kanë kontaktuar disa herë, por unë nuk i kam dhënë përgjigje pozitive. E kanë kontaktuar edhe babanë tim”, deklaroi Isufi.

“Unë jam futbollist i Kosovës dhe do të vazhdoj të luaj vetëm për vendlindjen time. Nuk do të luaj kurrë për asnjë Kombëtare tjetër përveç Kosovës”, shtoi ai.

20-vjeçari tregoi gjithashtu se ka pasur edhe një bisedë direkte me Alban Bushin, i cili i ka thënë se llogarit në të, por që ky në fund mbetet i vendosur për Kosovën.

"Trajneri Bushi më ka kontaktuar direkt duke më thënë se i pëlqej si lojtar, gjithsesi faleminderit, por do të mbetem i Kosovës".

Isufi ka zbuluar se ka folur edhe me përzgjedhësin e Kosovës U21, Hekuran Kryeziu, lidhur me gjithë situatën.

Ai nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të Dardanëve U21 për ndeshjet miqësore të qershorit, për shkak të angazhimeve që ka me Molde në Norvegji.


“Kam biseduar me trajnerin Hekuran Kryeziu. Ai e di situatën time në klub dhe gjithë atë që ka ndodhur me Shqipërinë. Ai ka besim te unë dhe unë kam besim tek ai. Në këtë grumbullim nuk do të jem shkaku i angazhimeve me klubin pasi kampionati norvegjez nuk pushon, por gjithmonë do të jem pjesë e Kosovës”, përfundoi Isufi.

20-vjeçari e ka nisur karrierën te Moss në Norvegji,derisa është blerë nga gjiganti norvegjez Molde në vitin 2025 për 600 mijë euro.

Ai konsiderohet si një nga talentët më premtues në Norvegji dhe është shpresa e Kosovës. /Telegrafi/

telegrafi sport app