Policia e Kosovës hap konkursin për 157 pozita “Toger”

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës ka shpallur procesin e gradimit për gradën “Toger”, duke hapur 157 pozita për zyrtarët policorë që plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale.
Sipas Sveçlës, të drejtë aplikimi kanë të gjithë zyrtarët policorë që kanë së paku dy vite në gradën “Rreshter”, si dhe zyrtarët me gradën “Polic i Lartë” që kanë minimumi 10 vite përvojë aktive në Policinë e Kosovës.
Afati për aplikim do të jetë i hapur deri më 12 qershor 2026.
Sveçla e ka cilësuar këtë proces si një hap të rëndësishëm në reformimin dhe fuqizimin e sistemit të karrierës brenda Policisë së Kosovës, duke theksuar se synohet krijimi i më shumë mundësive për avancim profesional të zyrtarëve policorë.
Ai ka bërë të ditur se për herë të parë po krijohet mundësia që zyrtarët policorë të avancohen edhe në dy grada njëherazi, me qëllim të korrigjimit të, siç i quajti ai, padrejtësive dhe bllokadave të trashëguara që për vite kanë penguar zhvillimin profesional të pjesëtarëve të policisë.
“Ndërtimi i një Policie bashkëkohore profesionale dhe me integritet fillon pikërisht nga garantimi i një sistemi të drejtë karriere. Aty ku avancimi bazohet në meritë, përvojë dhe shërbim ndaj qytetarëve e Republikës krijohen kushtet për progres”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka paralajmëruar se pas këtij procesi do të pasojnë edhe procese të tjera gradimi, me qëllim të avancimit profesional, motivimit institucional dhe forcimit të kapaciteteve të Policisë së Kosovës.








































