Christian Bale ka treguar se përkushtimi i tij ekstrem ndaj rolit të Dick Cheney-t në “Vice” (2018) pati një pasojë të pazakontë: në mënyrë të tërthortë, i shpëtoi jetën regjisorit Adam McKay.

Gjatë përgatitjes për personazhin, Bale studioi me imtësi jetën e ish-zëvendëspresidentit amerikan, përfshirë edhe historinë e tij mjekësore dhe sulmet e shumta në zemër.


Kjo e çoi në biseda të detajuara në set rreth asaj se si shfaqen simptomat e një infarkti – biseda që McKay thotë se i mbeti në mendje.

Foto: EPA-EFE

Në një intervistë për Deadline, Adam McKay pranoi se gjatë xhirimeve ishte në gjendje të dobët fizike: kishte mbipeshë, pinte shumë duhan dhe nuk po i kushtonte rëndësi shëndetit, edhe pse mjekët e kishin paralajmëruar.

Pas përfundimit të filmit ai vendosi të ndryshonte stilin e jetesës dhe angazhoi një trajner për të nisur stërvitjet.

Mirëpo, gjatë një prej stërvitjeve të para, McKay ndjeu shenja shqetësuese: filloi t’i mpiheshin duart dhe kishte të përziera të forta, të shoqëruara me një ndjesi të rëndë në stomak.

Ai tha se gjithmonë kishte besuar se infarkti njihet kryesisht nga dhimbja në gjoks ose dhimbja në krah, por në atë moment iu rikthye në mendje një detaj nga seti.

Sipas tij, kur po xhironin një skenë ku personazhi i Cheney-t pësonte sulm në zemër, McKay i kishte sugjeruar Bale-it një interpretim 'klasik' – me dhimbje në gjoks dhe në krah.

Bale e kishte korrigjuar, duke i thënë se në shumë raste simptomat mund të jenë ndryshe dhe më të zakonshme janë të përzierat e forta dhe dhimbjet e barkut.

- YouTube www.youtube.com

McKay thotë se nuk i kishte kushtuar rëndësi asaj bisede deri në momentin kur i përjetoi vetë këto simptoma në palestër.

Pikërisht sepse i njohu si shenja të mundshme të infarktit, reagoi menjëherë dhe u dërgua në spital.

Aty, mjekët i thanë se falë reagimit të shpejtë, zemra kishte pësuar dëmtime minimale.

Regjisori theksoi se arsyeja pse veproi në kohë ishte pikërisht sepse iu kujtua ajo që i kishte thënë Bale.

Pas rikuperimit, ai e telefonoi aktorin për ta falënderuar, duke bërë edhe një shaka: se “ose Christian Bale ia shpëtoi jetën, ose Dick Cheney”. /Telegrafi/