Nga 3 deri më 11 gusht, Prishtina do të jetë arenë e ndeshjeve të Kampionatit Evropian, Divizioni B, për femrat U-20.

Për tetë ditë me radhë, 12 kombëtare do të zhvillojnë shumë ndeshje interesante, derisa për herë të parë vashat e Kosovës U20 marrin pjesë në një garë të nivelit të tillë. Vashat debutojnë në shtëpi dhe kërkojnë përkrahje nga publiku, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Kapitenia e Kosovës U20, Besjana Martinaj, ka folur për përgatitjet e deritashme. “Jemi në ditët e fundit të përgatitjeve për këtë Evropian. Kemi stërvitur dy herë në ditë dhe do të mundohemi të përfaqësojmë sa më mirë vendin në këtë Evropian”, ka thënë Martinaj për faqen zyrtare të FBK-së.

Ajo ka folur edhe për rëndësinë që ka publiku për lojtaret në fushë. “Ne me Kosovën U20 për herë të parë po marrim pjesë në një ngjarje kaq madhore. Gjithashtu jemi vajza më të reja se kundërshtaret, andaj kemi nevojë për përkrahjen e publikut. Ne do të mundohemi të fitojmë përvojë nga ky Evropian dhe të japim më të mirën në fushë”, shtoi tutje kapitenia e Kosovës U20.

Vashat e Kosovës janë në grup me Turqinë dhe Rumaninë. “Do të mundohemi të bëjmë paraqitje të mira, sepse kundërshtaret janë shumë të forta dhe kanë më shumë përvojë se ne. Për ne ka rëndësi edhe ndihma e publikut në këso përballje, andaj i ftoj të gjithë të na përkrahin, derisa ne do të japim maksimumin me forcat tona”, përfundoi Besjana Martinaj.

Sfida e parë e Kosovës do të jetë ndaj Turqisë më 3 gusht, pas ceremonisë hapëse, kurse takimi tjetër ndaj Rumanisë më 5 gusht.