Barcelona ka vendosur një objektiv të ri për repartin defensiv pas transferimit të Anthony Gordon, duke intensifikuar përpjekjet për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Juventusit, Andrea Cambiaso.

Drejtuesit katalanas, nën udhëheqjen e Hansi Flick, po kërkojnë një profil ofensiv për krahët e mbrojtjes, me synimin për të sjellë më shumë dinamizëm dhe alternativa taktike në skuadër për sezonin e ardhshëm.


Klubi blaugranas dëshiron të krijojë më shumë konkurrencë në repartin defensiv dhe njëkohësisht t’i ofrojë pushim të nevojshëm Jules Kounde gjatë sezonit.

Flick vlerëson lart aftësitë e Cambiasos, i cili mund të luajë në të dy krahët dhe të përshtatet lehtësisht edhe në role më të avancuara në mesfushë.

Juventusi pritet të bëjë shitje të rëndësishme gjatë verës për shkak të situatës financiare dhe rrezikut për të mbetur jashtë Ligës së Kampionëve.

Klubi torinez ka vendosur një çmim prej rreth 50 milionë eurosh për kartonin e italianit, ndërsa interesimi për të nuk mungon as nga klubet e mëdha të Ligës Premier dhe Real Madridi.

26-vjeçari ka zhvilluar një sezon shumë pozitiv në Serie A, duke regjistruar mbi 35 ndeshje, tre gola dhe katër asistime. Polivalenca e tij dhe aftësia për të ndihmuar në fazën sulmuese kanë bindur drejtuesit katalanas se ai mund të jetë një element kyç në projektin e ri të Flick.

Barcelona po përgatit një plan financiar të detajuar për të realizuar transferimin dhe synon të përfitojë nga nevoja e Juventusit për të balancuar financat.

Sipas raportimeve nga Spanja, drejtuesit e klubit besojnë se Cambiaso mund të sjellë më shumë fluiditet në lojën e skuadrës, sidomos në ndërtimin e aksioneve dhe krijimin e superioritetit numerik në mesfushë.

Stafi teknik i Barcelonës është impresionuar nga qetësia e italianit nën presion, vizioni i tij në lojë dhe aftësia për të depërtuar me topin në hapësira të ngushta. Po ashtu, ai konsiderohet një lojtar ideal për stilin agresiv të presionit të lartë që Flick dëshiron të aplikojë në “Camp Nou”.

Klubi katalanas synon të lëvizë shpejt në negociata për t’i paraprirë konkurrencës së Manchester Cityt dhe Liverpoolit.

Takimet me përfaqësuesit e lojtarit pritet të intensifikohen sapo të përfundojë sezoni në Itali, ndërsa Barcelona beson se projekti sportiv dhe prestigji i klubit mund ta bindin Cambiason të transferohet në La Liga.

Në “Camp Nou” e konsiderojnë italianin si një përforcim strategjik për sezonin 2026/27 dhe si një nga lëvizjet më inteligjente të afatit kalimtar të ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app