U zhduk për dy javë, zbulohet arsyeja tronditëse pse lojtari i Lecces refuzoi të kthehej

Një nga historitë më të pazakonta të kësaj vere në futbollin italian lidhet me sulmuesin e Lecces, Lameck Banda, i cili humbi kontaktet me klubin për më shumë se dy javë pasi nuk u paraqit në grumbullimin për fazën përgatitore.
Sulmuesi i Kombëtares së Zambias pritej të rikthehej në Itali pas pushimeve verore, por fillimisht kishte njoftuar klubin se vonesat ishin shkaktuar nga probleme me udhëtimin dhe procedurat burokratike.
Megjithatë, me kalimin e ditëve situata u bë edhe më e çuditshme. Banda mungoi edhe në kontrollet mjekësore të planifikuara nga Lecce dhe ndërpreu çdo komunikim me drejtuesit e klubit, duke mos iu përgjigjur telefonatave apo mesazheve.
Drejtori sportiv i Lecces, Stefano Trinchera, pranoi publikisht se klubi nuk kishte arritur të kontaktonte futbollistin, duke paralajmëruar se ai do të përballej me pasojat disiplinore për veprimet e tij.
Misteri u thellua edhe më shumë kur Banda publikoi në Instagram fotografi dhe video duke u stërvitur në një palestër në Zambi. Kjo konfirmoi se ai ishte mirë, por nuk dha asnjë shpjegim se përse nuk ishte kthyer në Itali dhe as kur kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë.
🇿🇲📸 Lameck Banda, por fin, da señales de vida tras su desaparición repentina.
El jugador del Lecce publicó un par de historias en su perfil de Instagram entrenándose como si nada.
Esto es tremendo, porque recordemos que el zambiano no llegó a coger un vuelo para hacer la… https://t.co/glTsrZYsfU pic.twitter.com/KUc0dzv1YH
— Mario Reinoso (@marioreinoso_) July 30, 2026
Sipas raportimeve nga Zambia, arsyeja e mungesës lidhet me një mosmarrëveshje kontraktuale me klubin italian.
Raportohet se Banda nuk kishte ndërmend të vazhdonte te Lecce dhe mbeti i befasuar kur mësoi se kontrata e tij, e cila sipas tij duhej të përfundonte në verën e vitit 2026, ishte zgjatur edhe për një vit tjetër pa dijeninë e tij.
Mediat italiane shkruajnë se pikërisht kjo mosmarrëveshje e shtyu futbollistin të qëndronte në Zambi në vend që t'i bashkohej skuadrës për fazën përgatitore, duke lënë Lecce pa asnjë komunikim me një nga lojtarët e ekipit të parë për më shumë se dy javë.
Situata tashmë ka kaluar përmasat e një çështjeje disiplinore. Lecce po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore ndaj 25-vjeçarit për mosparaqitjen në detyrë.
Mbetet ende e paqartë nëse Lameck Banda do të rikthehet në Itali apo jo, ndërsa e ardhmja e tij te Lecce është vënë seriozisht në pikëpyetje në një nga sagat më të pazakonta të këtij afati kalimtar./Telegrafi/














































