Mourinho pas barazimit me Fiorentinën: Pashë një Real Madrid me tri fytyra

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka analizuar paraqitjen e skuadrës së tij pas barazimit ndaj Fiorentinës në ndeshjen e tretë miqësore të fazës përgatitore, duke u shprehur i kënaqur me atë që pa nga lojtarët, pavarësisht mungesave të shumta.
Portugezi tha se skuadra e tij kaloi nëpër tri faza të ndryshme gjatë takimit.
“Pashë një Real Madrid me tri fytyra: të freskët, të lodhur dhe shumë të lodhur. Kur ishim të freskët luajtëm shumë mirë. Rezultati 2-1 në pjesën e parë ishte shumë i vogël, sepse me lojën që zhvilluam mund të fitonim lehtësisht 3 ose 4-0”.
Mourinho vlerësoi edhe reagimin e ekipit kur ndeshja u bë më fizike, duke përmendur në veçanti të rinjtë Joan Matinez dhe Mario Rivas.

“Ata zhvilluan një ndeshje fantastike, por fizikisht ende nuk janë në nivelin për t’u përballur me një lojtar si Kean. Megjithatë, më pëlqeu shumë reagimi i ekipit kur ishte shumë i lodhur. Skuadra mbeti skuadër dhe arriti ta kontrollojë sërish lojën”.
Ai veçoi gjithashtu angazhimin e Denzel Dumfries dhe Endrickut, të cilët kishin vetëm tri seanca stërvitore para ndeshjes.
“Dumfries dhe Endrick kishin vetëm tri stërvitje dhe luajtën më shumë se 70 minuta. Ishte një sakrificë fantastike dhe i falënderova për gjithçka që i dhanë ekipit”.
Në fund, Mourinho foli edhe për gjendjen e skuadrës dhe mungesat që po e shoqërojnë gjatë fazës përgatitore.
“Ky është Real Madridi me lojtarët që kemi aktualisht në dispozicion. Jam shumë i kënaqur me punën e djemve që nga dita e parë. Më shqetëson fakti që nuk i kam ende të gjithë lojtarët. Do të doja të kisha tri javë me grupin e plotë, por kjo nuk është e mundur”.
Trajneri portugez zbuloi se Vinicius Junior, Brahim Diaz dhe Bernardo Silva do t’i bashkohen ekipit të hënën, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve do të rikthehen gradualisht në dispozicion./Telegrafi/















































