Aktivitetet ilegale në burimet e ujit të pijshëm paraqesin rrezik për shëndetin publik.

Një vendim i ekzekutivit i vitit 2013 ndalon rreptësisht notin dhe lundrimin në Liqenin e Batllavës, duke ngarkuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” me zbatimin e tij. Por në terren, ky vendim duket se nuk zbatohet.


Qytetarë të shumtë hyjnë lirshëm në liqen dhe lundrojnë me varka ilegale, pa asnjë kontroll apo masë sigurie. Ky paradoks, mes ndalesave ligjore në letër dhe mungesës së zbatimit në terren, nxjerr në pah një dështim serioz institucional në mbikëqyrjen e kësaj zone.

Situata në Liqenin e Batllavës prek drejtpërdrejt dy aspekte kritike: sigurinë e jetës së qytetarëve dhe mbrojtjen e burimit kryesor të ujit të pijshëm për rajonin e Prishtinës dhe Podujevës.

Për më shumë se një dekadë, Liqeni i Batllavës, një nga burimet kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë, është shndërruar në një zonë rekreative jashtë kontrollit institucional. Pa mbikëqyrje të mjaftueshme, qytetarët hyjnë lirshëm për not, ndërsa varkat ilegale qarkullojnë në zonat e mbrojtura ujore.

Ndërkohë që institucionet heshtin dhe përgjegjësitë kalojnë nga njëra palë te tjetra, rreziku për tragjedi njerëzore dhe ndotjen e ujit shtohet çdo vit, raporton rtk.

Një vendim i Qeverisë së Kosovës i vitit 2013 përcakton qartë se ndalohet çdo veprimtari në Zonat I dhe II të mbrojtjes së akumulimit të ujit dhe se çdo aktivitet mund të zhvillohet vetëm me leje të veçantë.

Megjithatë, kur pyeten se sa leje janë lëshuar gjatë një dekade dhe kush e kontrollon gjendjen në Batllavë, menaxhmenti i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” nuk ka dhënë përgjigje.

Shumica e qytetarëve që e frekuentojnë Batllavën nuk janë në dijeni se hyrja në disa pjesë të liqenit është e ndaluar me ligj. Ata vazhdojnë të notojnë, të lundrojnë me mjete të palejuara dhe të kalojnë kohë pranë ujit, pa paralajmërime, pa mbikëqyrje dhe pa masa sigurie.

“Vendi është shumë i bukur, shumë i qetë, por diçka që nuk më pëlqen janë mbeturinat që janë këtu nga ne, frekuentuesit. Është e papranueshme se si një njeri mund ta bëjë vendin e vet kështu – me mbeturina, vetura... Unë nuk kam qenë në dijeni që është e ndaluar, por mbeturinat janë problemi kryesor”, thotë Arnim Selmanaj, qytetar.

“Ne jemi vetëm banorë këtu. Nuk e di nëse është e ndaluar ose jo, por ajo që më pengon më së shumti është se ka shumë mbeturina. Ka njerëz që nuk di as çfarë t’u them”, thotë qytetarja Viola Ibishi.

Por mosinformimi i qytetarëve është vetëm njëra anë e problemit. Ministria e Mjedisit thekson se kompetencat për ruajtjen dhe mbikëqyrjen e kësaj pasurie ujore janë të përcaktuara qartë me dokumente zyrtare.

Sipas kësaj ministrie, vendimi i vitit 2013 e obligon drejtpërdrejt kompaninë rajonale të ujësjellësit jo vetëm të furnizojë qytetarët me ujë, por edhe ta mbrojë fizikisht burimin.

“Mbikëqyrja dhe monitorimi nuk kanë qenë të mjaftueshme nga institucionet, për fat të keq, dhe kjo ka sjellë edhe paqartësi”, ka deklaruar Fatri Zhitia, zëdhënës në Ministrinë e Mjedisit.

Këtë e konfirmon edhe vetë vendimi, përkatësisht nenet 9 dhe 10 të tij, të cilat e ngarkojnë Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit me mbrojtjen e zonave të mbrojtura, si dhe ndalojnë qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve në Zonën I, përfshirë edhe ndërtimin e objekteve turistike.

Megjithatë, ajo që shihet në terren është krejtësisht ndryshe nga ajo që përcakton ligji.