LAJMI I FUNDIT:

Kosova me përfaqësues në garën automobilistike në Buzet në Kroacisë

Kosova me përfaqësues në garën automobilistike në Buzet në Kroacisë

Me 33 bolidë dhe prototipe, shënohet përvjetori i numrit magjik 33, në garën e fundit të Kampionatit evropian në disiplinën malore në qytetin Buzet të Kroacisë, ku në konkurrencë direkte në të gjitha grupet dhe klasat janë paraqitur 222 garues dhe 53 garues të tjerë si promo/sfidues, të cilët do të garojnë për rekord të kohës më të shpejtë, në të cilin gjendet edhe garuesi i vetëm kosovar i klubit Prishtina Racing Team, Shkëlzen Lajqi, me veturën Honda Type R, të grupit N, klasa deri në 2000 ccm.

buzet


Filloi si garë e vogël e u bë e nivelit Evropian

Gjithçka filloi me 5 shtator 1982, ku dashamirët e automobilizmit dhe të shpejtësisë nga qyteti i Buzetit organizuan një garë të vogël të qytetit në kuadër të kampionatit nacional të Kroacisë, të ngjashme me ato të ish-Jugosllavisë si Avalla, Lovceni, Pohorja e Mariborit etj,. Ku ishin ngjarje të mëdha të entuziastëve dhe të sportit me oktan. Organizatorët morën përsipër realizimin e garës së parë në Buzet dhe me këtë rast kishin mirëpritur edhe shumë kampion të ish-Jugosllavisë, në qytetin e vogël të tyre. Në atë vit, qytetarët kishin përqafuar dhe gostitur shumë mirë garuesit, dhe prej asaj fundjave të 4 dhe 5 shtatorit të vitit 1982, vetë qytetarët dhe Buzeti kishte jetuar për ditët e garës automobilistike të emëruara si Ditët e Buzetit.

buzet2

Klima dhe lartësia e ultë mbidetare e bënë atraktive edhe konkurrencën e jashtëzakonshme!

Garuesi Italian, 36-vjeçari Simone Faggioli me bolidin e tij Osella, arrin po ashtu në Buzet, ku tashmë ka siguruar titullin e shtatë evropian në Kategorinë II (Bolid dhe Prototipe), i cili edhe këtë herë synon të thyej rekordin e bolidit të vet dhe të rekordit aktual të shtegut 5 mijë kilometra të Buzetit me kohën më të shpejt të regjistruar ndonjëherë në vitin 2012, me 2 minuta 11 sekonda e 858 të qindtat me shpejtësi mesatare prej 137 km/h. Në Buzet po ashtu arrin edhe kampioni i ri evropian, maqedonasi Igor Stefanovski, i cili lë prapa tre kampionët evropianë, që po ashtu nuk është rastësi që të tre kampionët paraprakë janë nga vendet e ish-Jugosllavisë. Të gjithë fituan titullin evropian me Mitsubishi Lancer EVO IX, më 2011, slloveni Ales Prek, më 2012, serbi Dusan Borkovic dhe ai i vitit të kaluar kroati Tomislav Muhvic.

Ndërsa, në këtë vit Ditët e Buzetit karakterizohet veçanërisht për automjetet historike të kampionatit evropian FIA, pastaj kampionati i FIA CEZ-it i cili organizohet për garuesit e Evropës qendrore dhe jug-lindore, kampionati Kroat i veturave moderne garuese, Kampionati i hapur slloven dhe Kupa AS 2005, po ashtu për herë të parë edhe Federata Austriake ka njoftuar se në kalendarin e saj do ta ketë Buzetin si garë për poentim për kategoritë dhe klasat më atraktive nga kampionati i saj. Sipas kësaj, vëmendja do të bjerë te asat austriak të automobilizmit si Felix Pailler me Delta Integralen e njohur të tij, Andreas Gabat me Ford Cosworth, Karl Schagerl me Golf Rally TFSI-R, pra fjala është për vetura me mbi 700 kuaj fuqi.

Gara në Buzet është e njohur edhe për sfilatat e automobilistëve si në qytet po ashtu edhe pas përfundimit të garës, të dielën pasdite. Këtë herë duket se agjenda do të jetë përplot aktivitete dhe për këtë arsye janë rezervuar tre parqe të veturave garuese. Për herë të parë bëhet transmetimi direkt i rezultatit në vendin e quajtur te Ura.

kreysorebuzet

Kosova dhe kampionati i garave malore evropiane

Meqë Kosova ende nuk është njohur nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit – FIA, dhe kampionati i Kosovës është i mbyllur brenda kufijve administrativë, këtë herë Federata e Autosporteve e Kosovës do të jetë prezente në fundjavën e Buzetit me disa zyrtarë dhe me një garuesin Shkëlzen Lajqin, anëtarin e klubit Prishtina Racing Team, i cili do të garojë jashtë konkurrencës së poentimeve, por do të synojë rekord të mirë të shtegut të Buzetit në kategorinë e grupit të vet Grupi N, deri në 2000 ccm.

Një pjesëmarrje e tillë e garuesve nga Kosova, paraqet një sfidë tekniko-sportive dhe është e mjaft e kushtueshme, ndërsa për këtë pjesëmarrje në këtë garë e ndihmuan FASK – EUROGOMA. Me këtë rast pritet që garuesi jonë dhe anëtarët e FASK-ut të lobojnë për pranim sa më të shpejtë të Federatës tonë në emblemën e FIA CEZ.

buzetpr2 buzetpr3 buzetpr4

Vlen të përmendet që  zyrtarët e FASK- EUROGOMA dhe ACA (Federata Automobilistike e Shqipërisë) kanë vijuar deri më tani tre trajnime të organizuara nga KMI – Institute (trajnues të licencuar nga Federata Ndërkombëtare  – FIA) në vazhdën e aftësimit dhe përgatitjes sa më profesionale të zyrtarëve të saj rreth çështjeve të organizimit sa më të sigurt dhe cilësor të garave. Përmes këtyre trajnimeve synohet të plotësohen kushtet e parashtruara për anëtarësim të të dy Federatave tona në kuadër të FIA-s.

Presim që garuesi jonë të arrijë rezultat të mirë në kategorinë përkatëse dhe me këtë të shtojë edhe një përvojë të re në organizimet e garave automobilistike ndërkombëtare.