Kompletohen çerekfinalet e Kupës së Botës, këto janë datat dhe oraret e ndeshjeve


Me fitoret e mbrëmjes së sotme të Kombëtares së Argjentinës ndaj Egjiptit (3-2) dhe të Zvicrës ndaj Kolumbisë (0-0, 4-3 pas penalltive), është kompletuar raundi i 1/8 së finales në Kupën e Botës.
Tashmë janë mësuar të gjitha çiftet çerekfinale të turneut, ku do të jenë pjesë gjashtë Kombëtare evropiane, një nga Afrika dhe një nga Amerika e Jugut.
Pas përfundimit të fazës së 1/8 së finales, e mërkura do të jetë dita e parë pa asnjë ndeshje në këtë Botëror. Deri tani janë zhvilluar 96 takime, ndërsa kanë mbetur edhe vetëm tetë sfida deri në përfundimin e turneut: katër çerekfinale, dy gjysmëfinale, finalja dhe ndeshja për vendin e tretë.
The quarter-finals are set 🤝#FIFAWorldCup
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) July 7, 2026
Çerekfinalet do të nisin të enjten me përballjen mes Francës dhe Marokut, ndërsa një ditë më vonë do të zhvillohet dueli mes Spanjës dhe Belgjikës. Fituesit e këtyre dy ndeshjeve do të përballen mes tyre në gjysmëfinale.
Ndërkohë, të shtunën do të zhvillohet sfida mes Norvegjisë dhe Anglisë, ndërsa çerekfinalet do të mbyllen me përballjen shumë interesante mes Argjentinës dhe Zvicrës.
Kjo e fundit pritet të jetë një nga ndeshjet më të mëdha të kësaj faze, me Lionel Messin dhe kampionët në fuqi të botës që do të përballen me Zvicrën e Granit Xhakës për një vend në gjysmëfinale. /Telegrafi/
Çiftet çerekfinale të Kupës së Botës:
Francë – Marok (9 korrik, ora 22:00)
Spanjë – Belgjikë (10 korrik, ora 21:00)
Norvegji – Angli (11 korrik, ora 23:00)
Argjentinë – Zvicër (12 korrik, ora 03:00)









































