Radja Nainggolan do të rikthehet te Interi në fund të sezonit pas huazimit një vjeçar te Cagliari.

Mesfushori belg është i huazuar me Cagliarin që nuk e ka mundësinë e blerjes në kontratë, por as nuk do ta kërkojë një gjë të tillë.

Klubi nga Sardegnia nuk e përballon dot pagën e lojtarit prej 4,5 milionë euro dhe kjo është arsyeja që nuk do të tentojnë transferimin e tij.

Nainggolan nuk pëlqehet nga trajneri Antonio Conte dhe ai do të rikthehet përkohësisht te Interi, pasi largimi i tij duket i pashmangshëm.

Calciomercato ka raportuar se Interi tanimë i ka vendosur edhe çmimin e largimit belgut dhe për ta lënë të lirë kërkon 20 milionë euro.

Radja Nainggolan. (Photo by Emilio Andreoli/Getty Images)

32-vjeçari është i destinuar të qëndrojë në Serie A pasi kërkohet nga dy skuadrat e mëdha italiane Roma dhe Fiorentina.

Nainggolan ditë më parë kishte deklaruar se do të rikthehej me dëshirën më të madhe në kryeqytet nëse Roma e sheh si të rëndësishëm atë.

Nga ana tjetër Fiorentina e kërkon prej dy vitesh lojtarin dhe tani ka mundësinë më të madhe ta transferojë.

Inter shpreson ta bind klubin vjollcë që ta lejoj largimin e Chiesas, pasi Neroazurët janë të gatshëm të përfshijë Nainggolanin në ofertë për yllin italian. /Telegrafi/