Juventusi ka siguruar një tjetër përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv, duke arritur marrëveshje të plotë me Bayer Leverkusenin për transferimin e talentit boshnjak Kerim Alajbegovic.

Sipas raportimeve, të gjitha palët kanë dhënë dritën jeshile për finalizimin e transferimit. Juventusi do të paguajë një paketë prej 35 milionë eurosh, ku 33 milionë euro janë të garantuara, ndërsa 2 milionë euro të tjera do të varen nga realizimi i bonuseve më të vështira.


Negociatat mes dy klubeve ishin mbyllur që një ditë më parë në parim, ndërsa mbeteshin për t'u zgjidhur vetëm detajet rreth bonuseve dhe marrëveshja personale me futbollistin.

Tashmë edhe këto çështje janë finalizuar, pasi Alajbegovic e kishte prioritet kalimin te Juventusi, ndërsa ka arritur marrëveshje edhe për kontratën personale me klubin torinez.

Sulmuesi i lindur në vitin 2007 konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit evropian. Ai u bë i njohur edhe për publikun italian pas paraqitjeve të tij me përfaqësuesen e Bosnje dhe Hercegovinës, veçanërisht në ndeshjen vendimtare ndaj Italisë që i kushtoi "Azzurrëve" eliminimin nga kualifikimet për Kupën e Botës.

Me afrimin e Alajbegovicit, Juventusi vazhdon të investojë fuqishëm te lojtarët e rinj me potencial të madh.

Pas rikthimit të Randal Kolo Muanit, klubi bardhezi shton edhe një tjetër talent në projektin e tij afatgjatë, duke e konsideruar boshnjakun një nga futbollistët që mund të udhëheqin sulmin e ekipit në vitet e ardhshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app