LAJMI I FUNDIT:

Rikthimi i talebanëve në pushtet, gazetarët afganë flasin për jetën atje dhe mikpritjen në Kosovë

Rikthimi i talebanëve në pushtet, gazetarët afganë flasin për jetën atje dhe mikpritjen në Kosovë

Rafiullah Nikzad dhe Nadia Gulabzada janë dy nga pesë gazetarët afganë që u strehuan në Kosovë në fillim të këtij viti, pasi u detyruan të largohen nga vendi i tyre meqë në pushtet u rikthyen talebanët.

Në dyvjetorin e rimarrjes së pushtetit në Afganistan nga talebanët, Rafiullah dhe Nadia rrëfejnë për jetën e rëndë atje si dhe mikpritjen në Kosovë.

Rafiullah për vite me radhë ka punuar si gazetar i kulturës dhe politikës në “Horshid TV”. Ai në një intervistë për Telegrafin tregon se tash e dy vjet nuk e ushtron këtë profesion.


“Në Afganistan kam punuar një kohë të gjatë si gazetar. Kam bërë intervista, kam shkruar lajme, raporte të ndryshme. Puna ime ka qenë e fokusuar në lajmet mbi kulturën, politikën dhe zhvillimet aktuale në vend. Tash po bëhen dy vjet që nuk e ushtroj këtë profesion. Gjithçka u bë shumë e vështirë pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët”, thotë ai, teksa shton se 99 për qind e gazetarëve i kanë ndërprerë të gjitha aktivitet e tyre dhe janë larguar me forcë nga Afganistani.

Rafiullah tregon edhe arsyen se pse u largua nga Afganistani dhe rrugën që kishte ndjekur për t’u strehuar në Kosovë.

Rafiullah Nikzad

“Arsyeja se pse jam larguar ishte se çdo informacion që donim ta publikonim, ishte i censuruar nga talebanët. Nuk kishim liri dhe nuk kishim të drejtë të shkruanim mbi ngjarjet që ndodhnin. Gjithçka ishte e kontrolluar nga talebanët. Pasi talebanët pushtuan vendin, më 22 prill të vitit 2022 kam shkuar në Pakistan me shumë vështirësi dhe pas nëntë muajsh qëndrimi kam bërë kërkesë që të strehohem në ndonjë vend të Evropës. Kam pasur shumë fat që ECPMF në bashkëpunim me AGK-në kanë sjellë programin për mbështetjen e gazetarëve dhe pas shumë vështirësive të udhëtimit kam arritur që të vij në Kosovë”.

Ai thotë se prej kur ka ardhur në Kosovë ka mbetur i habitur me mikpritjen që i është bërë atij dhe kolegëve të tjerë.

“AGK-ja në bashkëpunim me ECPMF-në kanë bërë të mundur që ne sadopak të punojmë në profesionin tonë. Që kur kemi ardhur jemi bërë pjesë e kurseve në gjuhën shqipe dhe atë angleze – gjë që po na ndihmon të ambientohemi me jetën në Kosovë. Në ndërkohë punojmë edhe online me disa televizione në Evropë. Pra, raportojmë mbi ngjarjet në Afganistan, të cilat transmetohen në vendet evropiane”, shprehet gazetari afgan.

E lumtur që ndodhet në Kosovë dhe e mahnitur me mikpritjen këtu shprehet edhe gazetarja Nadia Gulabzada.

“Jemi shumë të kënaqur me pritjen që na është bërë në Kosovë si nga instancat e shtetit ashtu edhe me personat e tjerë. Fakti që kemi probleme me gjuhën shqipe nuk kemi pasur mundësi që të krijojmë shoqëri apo të bëjmë biseda më të thella me fqinjët dhe njerëzit tjerë, por janë shumë të sjellshëm dhe kemi mbetur të habitur nga kjo”, thotë ajo.

Nadia për vite me radhë ka punuar si gazetare në “Parliament TV”, televizion në Afganistan që përcjell zhvillimet nga Kuvendi.

Nadia Gulabzada

Ajo kujton edhe ditën kur talebanët kanë pushtuar Kabulin.

“Momenti kur talebanët veçse kishim filluar pushtimin e zonave më të largëta, pra para se të mbërrinin në qendër, ne e dinim se çka na priste sepse gjithçka që ata kanë predikuar është se gratë nuk duhet të punojnë, nuk duhet të shkollohen edhe fytyra e tyre nuk duhet të zbulohet në televizion. Ditën kur ata erdhën në qendër, në Kabul, unë kam qenë në zyrë. Ajo ditë nuk harrohet lehtë. Ka qenë një situatë tmerruese. Sidomos gratë që kanë qenë të punësuara në televizion e kanë ditur se nëpër çfarë do të kalojnë. Kemi dalë me shpejtësi nga zyrat duke u munduar që të shkojmë në shtëpitë tona”.

Nadia shprehet e shqetësuar për familjen e saj që ndodhet në Afganistan, ndërsa thotë se frikën më të madhe e ka për motrën. Siç tregon, talebanët po i martojnë me forcë vajzat e reja afgane dhe një gjë të tillë frikësohet se do t’i ndodhë edhe motrës së saj.

“Për fat të keq e gjithë familja ime është atje dhe jetën që po e kalojnë është shumë e vështirë. Vajzat nën moshën 20-vjeçare nuk lejohet që të dalin në rrugë pa u shoqëruar nga një familjar i gjinisë së kundërt. Nëse dalin vetëm i marrin dhe i burgosin. Një gjë tjetër shumë e keqe që po ndodh është se talebanët po i martojnë vajzat e reja afgane me dhunë. Unë kam një motër të re në moshë dhe kemi frikë e gjithë familja se mos po e marrin”.

“Kam komunikim me familjarët që ndodhen atje, por shumë rrallë pasi mundohem që të mos i vë në rrezik. Edhe gjatë punës që e bëj nga këtu si gazetare mundohem që të jem shumë e kujdesshme sepse ata i kanë të gjithë informatat për personat që janë larguar nga Afganistani dhe na përcjellin vazhdimisht nëse jemi duke bërë diçka që është në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e tyre. Nëse unë bëj diçka, familja ime është në rrezik”, shprehet gazetarja afgane.

Më 28 dhjetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë. Pesë gazetarë nga Afganistani janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë” dhe ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet.

Përzgjedhja e gazetarëve që strehohen në Kosovë u bë nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Pasi në gusht të vitit 2021, talebanët kanë rimarrë pushtetin, Kosova ka pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve afganë, që ishin të rrezikuar nga talebanët. Kosova ka strehuar përkohësisht rreth dy mijë refugjatë afganë. /Telegrafi/